Shqipëria

Basha takon Varhelyi-n, në fokus reforma zgjedhore dhe lufta kundër korrupsionit


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi, të mërkurën e 28 shkurtit.

“Diskutuam mbi prioritetet e Partisë Demokratike të Shqipërisë, reforma zgjedhore dhe lufta kundër korrupsionit. Për PD kushdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve duhet të japë llogari para drejtësisë”.

Basha theksoi se PD është në krah të drejtësisë dhe SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

“Përmes propozimeve për reformën zgjedhore PD synon ti japë qytetarëve të drejtën ti zgjedhin ata deputetët e tyre përmes listave të hapura. Barazia e votës përmes krijimit të një zone zgjedhore, votimi dhe numërimi elektronik dhe vota e diasporës janë të tjera propozime përmes të cilave ne synojmë ti kthejmë besimin shqiptarëve tek zgjedhjet dhe ti japim fuqi zërit të tyre”.

Sipas Bashës, me këto propozime, listat e kandidatëve për deputetë çlirohen nga kontrolli i kryetarëve të partive, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejtë deputetin që duan dhe duke rikrijuar lidhjen ndërmjet votuesit dhe deputetit, të cilat u shkëputën nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Ndërkaq, përmes propozimit “Shqipëria 1 zonë” zgjedhore krijohet barazia e votës së qytetarëve duke eliminuar diferencat ndërmjet qyteteve të ndryshme.

Kështu vota do të ketë të njëjtën vlerë, si për qytetarin e Kukësit dhe të Fierit, të Tiranës dhe të Vlorës.

“Me propozimin për votën e diasporës, u kthejmë, pa asnjë kufizim, shtetasve shqiptarë me qëndrim të përhershëm, apo të përkohshëm jashtë Shqipërisë, të drejtën e tyre kushtetuese të zgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend”.

Basha thotë se këto nisma, “të cilat ne i kemi konsultuar paraprakisht me qytetarët, kanë një mbështetje maksimale, prandaj tani është momenti që dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve ta shndërrojmë në ligj për t’u dhënë atyre fuqinë e vërtetë në përcaktimin e deputetëve dhe qeverisë së ardhshme”.

Sipas tij, Shqipëria renditet mes vendeve më te korruptuara, çka ka ndikuar në zhvillimin ekonomik dhe emigrimin masiv të shqiptarëve.

“Një vend nuk mund të ketë një korrupsion kaq të përhapur, pa politikanë të korruptuar. Shqipëria prej kohësh po vuan dhe nga një plagë tjetër, që është lidhja e politikës me krimin, inkriminimi i pushtetit, kontrolli i vendimmarrjes nga krimi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore