Shqipëria

Basha: SHBA-të, ultimatum për përjashtimin e Berishës, jo vetëm nga grupi parlamentar


“Partisë Demokratike iu kërkua në mënyrë ultimative distancimi nga ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, pas shpalljes persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kështu është shprehur, kreu i PD-së, Lulzim Basha, në daljen e tij televizive në emisionin Open.

Ai ka theksuar, se SHBA-të, nuk kanë kërkuar vetëm përjashtimin nga grupi parlamentar të Berishës, por edhe largimin e tij nga Kuvendi dhe PD-ja.

Sipas Bashës, nëse ai nuk do ta përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar, PD-ja do të izolohej nga çdo kontakt me amerikanët.

“Investim për një zgjedhje ndryshe”, e ka cilësuar ai, vendimin për përjashtimin e Berishës, vetëm nga grupi parlamentar.

Basha ka ravijëzuar se ai personalisht ka bërë shumë për të lehtësuar pasojat e shpalljes së tij non grata.

Kreu i PD-së është shprehur se, Sali Berisha e ka të qartë pasojën për izolimin e një partie politike.

“Ai ma ka thënë në sy se para vetes nuk vendos Partinë Demokratike”, ishte komenti i Bashës mbi bisedën që ka pasur me ish-liderin demokrat.

Basha, ka shtuar se pavarësish çdo gjëje, “vendimi nuk është marrë nga kënaqja apo pakënaqja e amerikanëve, por ndaj demokratëve”.

“Më 9 shtator, vendimi u mor në bazë të statutit dhe përgjegjësitë e liderit të PD-së”, tha kryedemokrati.

Në vijim të intervistës së tij, Basha ka përsëritur se, nuk do të shkelë mbi “bashkëpunimin me Berishën”.

“Ndryshe nga ai, unë i qëndroj fjalëve të mia”, tha kreu i PD-së.

Madje, kryedemokrati u shpreh se shpesh ka zgjedhur të mbroj interesat e Berishës dhe jo të vetat.

Pavarësish këmbënguljeve të gazetarëve, Basha nuk ka pranuar të komentojë ose të diskutojë “mbi faktet për të cilat, SHBA-të shpallën non grata Berishën”.

Akuzat-Kundërakuzat

Akuzave të Berishës për “pastrimin e parave ruse” dhe se “është peng i Ramës”, Basha i është përgjigjur duke i cilësuar “një trillim”.

Prokuroria, sipas tij, e ka mbyllur në të gjitha nivelet çështjen, dhe nuk ka asnjë çështje të hapur për Bashën në “asnjë cep të botës”.

“Kjo tregon se unë nuk jam peng i Ramës”, tha ai, duke theksuar se mund të lëvizë lirshëm në SHBA.

Basha ka hedhur poshtë akuzat e Berishës për “dosjen Toyota Yaris”.

“Ngrihet një ditë në parlament dhe i thotë Taulant Ballës se do të të vijnë ty, me një seri Toyota-sh 5 milionë euro. Po si mund të thuhet kjo, të premten për të shtunën, kohë kur ata që do vinin mund të devijonin rrugën dhe mund të mos vinin fare”, ishte aludimi i Berishës më herët.

“Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë shtohen trillimet”, tha Basha.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha në hyrje të Partisë Demokratike
Situata në PD

Kryetari aktual e përjashtoi nga Grupi Parlamentar Berishën më 9 shtator. Pas kësaj do të niste një lëvizje brenda demokratëve, të cilën lideri historik, do ta cilësonte fillimisht si “statutore”.

Më tej, ai ndërmori një seri foltoresh, derisa arriti në dorëzimin e 4 mijë e 200 firmave, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, me qëllim rrëzimin e vendimit të Bashës për ta përjashtuar atë nga partia.

Ndërkohë, më 10 nëntor, u dorëzuan firmat e mbledhura në kuadër të nismës ‘Berisha’, ku ky i fundit lajmëroi se Kuvendi Kombëtar do të mblidhet më datë 11 dhjetor.

Nga ana tjetër, Basha ka theksuar se data 18 dhjetor do të jetë data e vetme e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore