Shqipëria

Basha: Me planin tonë fiton sipërmarrja, të punësuarit dhe shteti


Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha në takim me përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve është shprehur se me taksën e sheshtë do të luftohet informaliteti ku tre palët fitojnë , sipërmarrja shqiptare, të punësuarit dhe buxheti i shtetit.

“Në rrafshin e reformës fiskale, ne i qëndrojmë me vendosmëri angazhimit tonë për taksën e sheshtë 9%. Sikundër, uljen e kontributeve shoqërore në 18%, pra, 9+9 duke zbatuar kështu parimin e taksës së sheshtë si një parim që do të nxisë rritjen ekonomike, punësimin”.

Kryedemokrati u shpreh se sipërmarrja shqiptare është një ndihmë e konsiderueshme financiare, është një akt i cili lë në xhepat dhe në kontot një pjesë të parave të sipërmarrësve.

“Në këtë mënyrë ju keni një stimulues për të stabilizuar gjendjen ekonomike e cila ka qenë e vështirë, është e vështirësuar edhe më shumë këto vitet e fundit. Kemi një stimulues për të investuar dhe për të punësuar, dhe këtu vjen pala e dytë fituese e këtij propozimi që janë të punësuarit”.

Ai tha se me fuqizimin e biznesit përfitojnë edhe të punësuarit, rritet dhe konsumi, përfiton dhe arka e shtetit.

Gjithashtu ceku çmimin e lartë të karburantit, që sipas një studimi që përmendi Basha, Shqipëria renditet e treta në botë me Singaporin dhe Suedinë.

“Ulja e çmimit të karburantit do të vijë nëpërmjet eleminimit të taksës Rama, 240 lekë të vjetra, 24 lekë të reja për çdo litër, taksë e cila u aplikua, vit pas viti që nga vitit 2014 dhe 2015 dhe që e bëri karburantin shqiptar më të shtrenjtin në Ballkan, në Europë, dhe ndër më të shtrenjtët në botë”.

Një nga burimet e korrupsionit sipas Bashës janë inspektoriatet.

“Ne do të vendosim një moratorium 12 mujor. Rezultati i reformës do të jetë që njësoj si më standardin europian që po aplikohet edhe në Ballkan 7 deri në 10% e biznesit kontrollohet çdo vit, sipas analizës së riskut. Reforma e inspektoriateve do ta heqë përgjithmonë këtë ngërç dhe këtë lak në fytin e biznesit shqiptar”.

Basha theksoi se do të krijohet bordi i transparencës fiskale, i pavarur nga qeveria ,e cila është një praktikë që funksionon në shumë vende.

“Ne me të vërtetë kemi bërë një bilanc të ekonomisë në kuptimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve, por e kemi bërë në kuadrin e një rritje ekonomike që do të sjellin këto politika dhe në bazën e këtij projeksioni kemi sjellë zgjidhje realiste për këto probleme, jo premtime boshe. Parimi kryesor i këtij plani është që këto janë angazhime të zbatueshme”.

Ndërsa ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh se kanë një reformë të plotë derregulluese me parimin bazë biznesi në qendër jo shteti dhe lehtësimin ligjor.

“Lehtësimi i 100 procedurave të cilat do të bëjnë të mundur që në derën tënde që kur merr lejen e kapanonit dhe deri kur e nxjerr produktin të kesh lehtësinë maksimale dhe të mos kesh asnjë zyrtar shteti që vjen dhe të pengon.

Tabaku tha se do të ngrihen 3 instrumenta.

“E para, kodi tatimor që përfshin të gjithë legjislacionin fiskal. 60-të ndryshime fiskale dhe 170-të urdhra ministrash ka pasur në 8 vite. Do të heqim diskrecionin që i ka dhënë qeveria ministrave”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore