Shqipëria

Bardhi thotë se do ta çojë sërish në Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta dërgojë mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu ka bërë me dije kreu i grupit, Gazment Bardhi, lidhur me çështjen, pas përfundimit të një mbledhjeje të zhvillua.

Ai ndër të tjera akuzoi megjithatë edhe Lulzim Bashën, si person i cili po e mbron Xhaçkën dhe mandatin e saj, pasi katër deputetët e grupit të tij nuk kanë pranuar të firmosin kërkesën, drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi foli gjithashtu edhe për rikthimin e Sali Berishës në grupin parlamentar demokrat, duke shprehur se në këtë pikë nuk ka asnjë pengesë, pasi Berisha vetë është kryetar i PD-së.

Një koment për deklaratat e fundit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, rreth kreut të SPAK, Altin Dumani, ai e evitoi pas mbledhjes.

Ndërksa, e quajti të papranueshme sjelljen e kryeministrit Edi Rama, sa i takon interpelancës së kërkuar për vëllain e këtij të fundit, Olsi Rama, të cilin Bardhi e akuzon si të përfshirë në aktivitet kriminal të drogës në dosjen “Xibraka”. Për Bardhin, Rama dhe deputetët e Partisë Socialiste po e mbrojnë Olsi Ramën në këtë çështje.

Socialistët shpëtojnë Xhaçkën

Mandati i Olta Xhaçkës nuk do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim në themel.

Kështu është vendosur me votat e Parlamentit, ku deputetët socialistë e kanë “shpëtuar” kolegen e tyre, me 72 votat e tyre kundër.

Nga ana tjetër, 39 vota pro këtij projektvendimi kanë qenë nga opozita për dërgimin e Xhaçkës në Kushtetuese, por të pamjaftueshme për të dërguar mocionin lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të saj në organin më të lartë ligjor në vend.

Vetë Xhaçka, ka mbajtur fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, duke mbrojtur kauzën e saj.

Xhaçka ka theksuar se familja e saj dhe bashkëshorti, Artan Gaçi nuk kanë përfituar asgjë, duke thënë se akuzat janë shpifje.

Ish-ministrja tha se kompania e Gaçit ka marrë statusin e investitorit strategjik njëjtë si shumë investitorë të tjerë, ndërsa tha se nuk ka pasur asnjë shkelje.

Ajo theksoi se Kuvendi s’ka çfarë të votojë sot, pasi Gjykata Kushtetuese e ka thënë se nuk është në konflikt interesi.

“Për t’i vënë kapakun, nga leckat e topit të opozitës diskutohet sikur do të votohet sot për të më mbajtur në këmbë apo jo. Çështjen time GJK e ka pushuar. Meqë në këtë absurditet, u arrit për shkak të akuzave të ngritur ndaj meje, dhe votimi sot lidhet me mandatin tim, nuk do komentoj dhe kolegët le të diskutojnë e të e vendosin të lirë”.

Ndër të tjera, ka pasur dhe akuza të drejtëpërdrejta për Gazment Bardhin.

“U bë një kohë shumë e gjatë…Përmbaje Gazin të lutem. U bë një kohë e gjatë shpifje, je një gënjeshtar i rëndomtë. Shpifje. U bë një kohë e gjatë që emri im lidhte me paligjshmëri dhe abuzim me mandatin e deputetes. Nuk jam përgjigjur, jam menduar të rri në këtë detyrë apo të iki, të merrem me politikë apo të dorëzoj mandatin dhe të shpëtoj nga ky linç, ku faktet janë interesa politike e mediatike. Jam menduar se ku kam gabuar për të mbajtur në kurriz këtë furi balte, as kam ushtruar influencën time për të përfituar asgjë nga ato që janë bërë fakte të kryera, as nuk kam përfituar asgjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore