Shqipëria

Bardhi rinjeh SHQUP-in si seli zyrtare të PD-së


Deputeti demokrat Gazment Bardhi, njëkohësisht dhe kryetar i grupit të Rithemelimit ka mbajtur një deklaratë për mediat nga selia – dikur blu – për herë të parë pas përçarjes së Partisë Demokratike.

Bardhi njoftoi kështu “rikthimin në shtëpi”, teksa tha se bashkimi është forcë dhe jo dobësi.

“Para 34 vitesh shpresën e një vendi të terrorizuar, të izoluar e të varfër përtej mjerimit e ktheu lindja e Partisë Demokratike, si shprehja më sublime e një populli që kërkonte liri dhe demokraci. Këto dy vitet e fundit, ne hymë në një rrugë që solli mosbesim, konflikt, përçarje mes demokratëve”.

Zgjatja e asaj situate, sipas tij “vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë”.

“Kjo situatë mes nesh, e paprecedentë në llojin e vet, po ndodhte ndërsa Shqipëria humbte çdo ditë nga një tullë në themelet e brishta të demokracisë dhe pluralizmit. Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se 1 viti së bashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’u rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike”.

Bardhi theksoi se “bashkimi është rruga e vetme për një mëndje racionale”.

“Partia Demokratike me aktin e bashkimit, pas një udhëtimi në errësirë, i kthen dritën vetes dhe duhet ti kthejë shpresën shqiptarëve. Me këtë motiv, ne do të jemi në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë shpresë të rinjve, burrave dhe grave që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme për vete dhe për familjet e tyre”.

Ai bëri thirrje “Jo më përçarje! Jo më konflikt!”.

“Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e nesërme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet çdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë. Prania jonë sot këtu do të thotë mirëkuptim, respekt për mendimin ndryshe. Ne jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qëndrimet tona, sepse ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa nga ato që na kanë ndarë deri dje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore