Shqipëria

Bardhi: Berisha nuk ka mbledhur ¼ e firmave për Kuvendin


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, pas dorëzimit të 4 mijë e 200 firmave të nismës ‘Berisha’, tha se Kuvendi nuk do të mblidhet.

Kjo, sepse Berisha nuk ka mbledhur 1/4-at e firmave për të thirrur Kuvendin.

“Nëse do t’i kishte mbledhur 1 të katërtën, ai e di mirë procedurën dhe se si votohen”, tha Bardhi.

Sipas tij, ngjarja e sotme ishte një tallje me demokratët dhe sakrificën e tyre, pasi Berisha ka shkelur Statutin e PD-së dhe nenin 47 të tij.

“Në fillim thanë janë mbledhur 80%, pastaj 70%, në fakt e vërteta është nuk është arritur mbledhja firmave për të vënë në lëvizje procedurën statutore”, tha Bardhi.

Ai ka shtuar se Kuvendi ka më shumë se 7 mijë e 600 dhe duhet të firmosin ¼ e anëtareve, më pas vijon procesi.

Berisha ka deklaruar se formularët do të hapen vetëm në 11 dhjetor për të ruajtur fshehtësinë, por Bardhi tha se demokratët nuk mund të mbyllen në kasafortë.

Ai ka ravijëzuar se kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, të cilit firmat i kanë mbërritur në zyrë nuk ka asnjë lidhje me këtë proces.

Më herët, formularët u depozituan në selinë e Partisë Demokratike te kryetari i Këshillit Kombëtar i PD-së, Edi Paloka.

Vetë Berisha nuk ishte i pranishëm në momentin e dorëzimit, por ishin deputetët përkrahës të tij, Flamur Noka, Edmond Spaho, Aldo Bumçi, Klevis Balliu, Albana Vokshi dhe të tjerë.

Paloka, në deklaratën për mediat tha se do të zbatojë detyrimin e delegatëve, ndërsa zbuloi se ai vetë nuk ka firmosur.

“Firmëtarët më kanë kërkuar që të ruhet fshehtësia e të dhënave të tyre, formularët do të hapen vetëm ditën e Kuvendit të jashtëzakonshëm”, bëri me dije ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore