Sport

Barcelona ultimatum Dembele-s për rinovimin e kontratës


Drejtuesit e klubit të Barcelonës, janë të frikësuar se mund ta humbasin me parametra zero, futbollistin e tyre Ousmane Dembele.

Kontrata e sulmuesit francez skadon në qershorin e ardhshëm, andaj në rast mos rinovimi, Dembele do të ishte i lirë për një transferim pa kosto në ndonjë klub tjetër.

Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, krerët e Barcelonës i kanë vendosur një ultimatum francezit për rinovimin e kontratës në ditët e ardhshme, në të kundërtën ai nuk do të luajë në asnjë ndeshje deri në qershor.

Për sulmuesin 24-vjeçar, qëndrimi jashtë fushave do të ishte një humbje e madhe në sezonin para Botërorit “Katar 2022”, ku ai dëshiron të jetë protagonist me Francën.

Ndonëse Dembele kishte thënë se ndihet mirë në klub dhe dëshiron të qëndrojë akoma aty, (sipas burimeve spanjolle) Barça ka informacione se agjentët e futbollistit janë takuar me dy klube, Manchester United dhe Juventus-in.

Pra, në Barcelonë janë të zemëruar me mos interesimin e sulmuesit për të vazhduar bashkëpunimin, pasi që ata po e konsiderojnë mungesë respekti nga ana e një lojtari që ka kaluar më shumë se gjysmën e kontratës së tij i dëmtuar.

Kujtojmë që Barcelona e transferoi Dembele-n në verën e vitit 2017 për shumën e 135 milionë eurove nga Borussia Dortmund.

Mirëpo, francezi asnjëherë nuk arriti të japë maksimumin, pasi që shumë lëndime e shoqëruan atë.

Dembele ka realizuar 118 paraqitje me skuadrën e Barcelonës në të gjitha garat, prej të cilave ka realizuar 30 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore