Përballje

Barcelona feston për herë të fundit në “Camp Nou”, Busquets dhe Alba përshëndeten mes lotësh


Barcelona e zhvilloi ndeshjen e fundit në “Camp Nou”, teksa stadium mitik i katalanasve do t’u nënshtrohet punimeve që do të zgjatin të paktën një vit.

“Blaugranat” mposhtën Mallorca-n në ndeshjen e parafundit të sezonit në La Liga me rezultat 3:0.

Pas ndeshjes, Barcelonës iu dorëzua në mënyrë ceremoniale titulli kampion, derisa të pranishmëve në shkallët e stadiumit iu drejtuan edhe dy lojtarët: Sergio Busquets dhe Jordi Alba që do të largohen nga klubi.

Dy legjendarët nuk arritën t’i mbajnë lotët në momentin që u zëvendësuan nga Xavi.

Por, ata ishin disi më të mbajtur pasi morën mikrofonin për të folur para tifozëve.

Kujtojmë që Busquets numëron në total 721 ndeshje me Barcelonën, prej të cilave ka shënuar 18 gola dhe ka dhuruar 45 asistime.

Nëntë La Liga, tri Liga të Kampionëve dhe shtatë Kupa të Spanjës, janë vetëm disa nga trofetë e tij me fanellën e Barcelonës.

Ndërsa Alba numëron 458 ndeshje me fanellën blaugrana, prej të cilave ka shënuar 27 gola dhe ka dhuruar 99 asistime.

Ndërsa Alba me Barcelonën e ka fituar gjashtë herë La Liga-n, një herë Ligën e Kampionëve e gjashtë herë Kupën e Spanjës.

Kujtojmë që punimet në stadiumin “Camp Nou” do të fillojnë pas afërsisht një muaji, derisa stadiumi i ri do të jetë gati pas afro tri vite dhe kostoja e rinovimit do të jetë 1.5 miliard euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore