Sport

Barcelona është gati të shpenzojë 80 milionë euro për sulmuesin e Juventus-it


Problemet për skuadrën e Juventus-it nuk kanë të ndalur. Pasi u dënuan me minus 15 pikë, situata është komplikuar për ta arritur një vend në Ligën e Kampionëve.

Andaj, duke rrezikuar pjesëmarrjen në garën më prestigjioze për klube në Evropë, bardhezinjtë mund të rrezikojnë edhe humbjen e disa lojtarëve kryesorë të skuadrës.

Kështu, siç raportojnë mediat spanjolle, Barcelona po mendon të bëjë një ofertë prej 80 milionë euro për sulmuesin e tyre, Dusan Vlahovic.

Kjo shifër do t’u bënte jo pak punë bardhezinjve, që për disa vite radhazi mbyllin bilancet me humbje të mëdha.

Megjithatë, thuhet se Barcelona nuk do të tentojë gjatë dimrit një lëvizje të tillë, por ajo do të projektohet gjatë verës, ku sulmuesi serb shihet si një pasues ideal i Robert Lewandowski-t.

Kujtojmë që Vlahovic e kishte nisur shumë mirë këtë sezon, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar dy asistime në 15 ndeshje në Seri A dhe në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, 22-vjeçari pësoi një dëmtim para Kupës së Botës, e më pas e pësoi të dytin edhe gjatë Botërorit, që ende tani vazhdon të jetë jashtë fushave të blerta.

Kujtojmë që Juventus-i shpenzoi plot 82 milionë euro për ta transferuar atë nga Fiorentina në afatin kalimtar të janarit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore