Kosova

Barbano: Situata në Veri mund të përkeqësohet


Giovani Pietro Barbano

Si të qetë, por që mund të përkeqësohet shumë shpejt e ka konsideruar Shefi i misionit të EULEX-it, Giovani Pietro Barbano, situatën në Veri të Kosovës.

Këto komente, Barbano i ka bërë në një intervistë për “A2CNN”, ku për të treguar brishtësinë e situatës në Veri të vendit ka përmendur sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Situata aktuale në Veri të Kosovës dhe në përgjithësi në Kosovë është e qetë, por ende e brishtë. Fatkeqësisht, ne kemi parë që kjo situatë mund të përkeqësohet shumë lehtë siç ndodhi fatkeqësisht gjate muajit shtator, me sulmin e rëndë në Banjë, ku humbi jetën rreshteri i policisë Afrim Bunjaku”, tha Barbano.

Sa i përket hetimit të sulmit terrorist, ai ka theksuar se nuk është në mandatin e EULEX-it që të kryej hetime, porse ka pohuar se e kanë monitoruar hetimin që e kanë bërë institucionet e Kosovës.

“Epo, nuk është çështje që të vendoset për të mos kryer hetime. Thjesht EULEX-i nuk ka mandat të kryejë hetime që nga viti 2018. Mandati i EULEX-it nuk përfshin, nuk parasheh asnjë mandat ekzekutiv. Pra, përgjegjësinë e plotë për kryerjen e hetimeve e kanë vetëm institucionet e Kosovës”.

“EULEX-i po monitoron që hetimet e kryera nga policia e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës të kryhen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane në kryerjen e këtij monitorimi”, shtoi.

EULEX-i, vazhdoi ai, gjithashtu garanton që të drejtat e njeriut të respektohen plotësisht përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë, duke përfshirë aktivitetet e kryera nga policia, por edhe në aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët dhe në rast të paraburgimit nga sistemi korrektues në Kosovës.

“Aktivitetet tona monitoruese shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë. Pra, që nga aktivitetet e kryera nga policia e Kosovës në terren e deri te aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe sistemi korrektues, përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore”.

Barbano deklaroi se jo vetëm që monitorojnë. por edhe këshillojnë në fusha të ndryshme; “mbështesim gjithashtu zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve përkatëse”.

“Ne ishim të pranishëm në Banjë gjatë sulmit. Ishim shumë afër zonës së manastirit dhe monitoruam aktivitetet e Policisë së Kosovës . Menaxhuam hetimet për pelegrinët,  shoqëruam ata që ishin të pranishëm në manastir dhe i përcollëm në pikat e përbashkëta të kalimit asi përfunduan të gjitha operacionet”, potencoi Barbano ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore