Lajme

Barbano e Rashiç diskutojnë për të drejtën e kthimit të zhvendosurve në Kosovë


Giovanni Pietro Barbano dhe Nenad Rashiç

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, këtë të marte, ka takuar Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, me ç’rastë kanë diskutuar për të drejtën e kthimit dhe të sigurisë të të gjithë komuniteteve në Kosovë.

“Unë përsërita përkushtimin e EULEX-it për një shoqëri gjithëpërfshirëse ku të drejtat e njeriut të secilit respektohen dhe mbrohen nga sundimi i ligjit”, ka shkruar Barbano në platformën sociale, X, pas takimit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe, Rashiç duke folur për kthimin e të zhvendosurve në Kosovë në vitin 2023, potencoi se ishte i pakënaqur me rezultatet e kthimit.

“Dështuam t’i arrijmë objektivat që kishim në fillim të vitit sepse thjesht patëm vështirësitë që trashëguam, kryesisht në pjesën e kontratës së operatorit që ishte përgjegjëse për ndërtimin e shtëpive dhe rinovimet, e cila fatkeqësisht duhej të ndërpritej sepse ishte e dëmshme dhe për këtë arsye nuk arritëm saktësisht atë që kishim planifikuar të arrinim.”

Sa i përket numrit të të kthyerve, Rashiç kishte potencuar se ne vitin e kaluar janë regjistruar 43 të kthyer, prej tyre “32 janë serbë dhe 11 të tjerë”.

Rashiç ndër të tjera kishte potencuar se “Strategjia për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komuniteteve dhe pjesëtarëve 2023-2027”, e cila ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës në seancën e fundit në fund të vitit 2023, është një dokument shumë i rëndësishëm i cili ndër të tjera, përfshin “kthimin e parë urban të të shpërngulurve, i cili duhet të realizohet në një nga rajonet e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore