Lajme

Barazi në varfëri, Qeveria e ulë vlerën e koeficientit të pagave për rreth 80 mijë vetave


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Nga 120 sa ishte vlera e koeficientit për paga në sektorin publik, Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri e ka ulur në 105, çka nënkupton paga më të vogla për rreth 80 mijë punonjës të administratës së shtetit në të gjithë sektorët.

Uljen e vlerës së koeficientit e ka bërë publike vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Vlera nuk do të barazojë atë të vjetrën as në vitin e ardhshëm, meqë është parapara që nga viti 2024 të jetë 110 euro.

“Pas këtij procesi voluminoz e shumë kompleks, kemi arritur te vlera e koeficientit për vitin 2023 që është 105, e nga janari i vitit 2024, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave e Transfereve, ai do të jetë 110″, tha Kurti.

Pagat më të vogla për 80 mijë punëtorë Kurti i ka arsyetuar si “barazi” dhe “ndershmëri”.

“Me këtë plotësim ndryshim të ligjit të buxhetit, i hapet rrugë sistemit të ri të pagave në Republikën e Kosovës prej këtij muaji. Me këtë sistem të ri e vlera të reja të kompensimeve, kemi arritur disa objektiva bazë. Barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive, ngushtim të hendekut mes zyrtarëve të lartë e tjerëve, e mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionim shoqërisë, mjekët, arsimtarët, policët e ushtarakët”, tha Kurti.

Çfarë është koeficienti?

Pagat në sektorin publik merren sipas koeficientit që është i ndarë për pozita të caktuara.

Nëse vlera e 1 koeficienti është 105 euro, atëherë paga e një punëtori shumëzohet mes kësaj vlere dhe numrit të koeficientit.

Nëse pozita e caktuar ka koeficientin 5, atëherë paga është 5 x 105, e kështu me radhë.

Këto janë koeficientet për të gjithë punëtorët e sektorit publik

Paga më e lartë do të jetë ajo e presidentit me koeficientin 18, apo 1 mijë e 890 euro.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të ketë koeficient 17.5 ndërsa 17 do të jetë koeficienti për postin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

Deputetët dhe ministrat do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.

Sa i përket kryetarëve të komunave, ai i kryeqytetit do të ketë pagë me koeficient 15, ndërsa pagat e të tjerëve do të dallojnë varësisht prej numrit të qytetarëve që kanë ato komuna.

Paga për kryetarin e Gjykatës Supreme do të jetë në koeficientin 17, kurse koeficienti te gjyqtarët do të sillet prej 15.5 deri në 12 për gjyqtarin e Themelores dhe të dhomës së shkallës së parë të Komerciales.

Në Prokurori, paga e kryeprokurorit do të jetë me koeficientin 17, ndërsa prokurorët e përgjithshëm në Themelore do të kenë pagë me koeficient 12.

Koeficientin 15 e ka komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa 14.5 e ka drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.

Vlera e koeficientit ishte mbajtur e fshehur për një kohë shumë të gjatë asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk ishte informuar se sa do ta ketë pagën.

Nga secila kategori kishin thënë për Albanian Post se vlerën e koeficientit e presin që të jetë 130 euro, nëse kjo vlerë do të ishte më e ulët të njëjtit kanë paralajmëruar protesta.

Mbi 83 mijë punëtorë nuk e dinë sa do e kanë pagën, Qeveria ka vendosur ta mbajë sekret vlerën e koeficientit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore