Kosova

Bajrami, LV-së: Kërkoni ligjshmëri dhe zbatim të Kushtetutës për Berishajn, Krasniqin, Mujkën e Radojeçiçin


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk mund të arsyetohet rasti Klan Kosovës duke mbyllë biznese të tjera.

Ajo ka adresuar disa kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje e cila sipas saj, duhet të kërkojë ligjshmëri dhe zbatueshmëri të kushtetueses.

“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje duhet të kërkojë ligjshmëri dhe zbatim të Kushtetutës edhe në rastin e Martin Berishajt dhe përfshirjen e tij në transaksione financiare energjetike me kompani nga Serbia”, shkroi ajo në Facebook.

Sipas Bajramit, Lëvizja Vetëvendosje duhet të kërkojë ligjshmëri dhe zbatim të Kushtetutës në rastin e Nagip Krasniqit që është në paraburgim për korrupsion në KEK.

“Duhet të kërkojë ligjshmëri dhe zbatim të Kushtetutës kur Mimoza Kusari me izën e Albin Kurtit flet për Simiçin e në interfon edhe me Radojçiçin, duhet të kërkojë zbatim të ligjshmërisë dhe zbatim të Kushtetutës në rastin e Faruk Mujkës i arrestuar për korrupsion”.

Bajrami ka shtuar se LV-ja duhet të kërkojë zbatim të ligjit dhe Kushtetutës edhe në rastin e MINT për keqpërdorimet e rezervave shtetërore dhe mosardhjen e vajit nga Polonia.

“Padrejtësia me e madhe është drejtësia selektive, e këtë ky pushtet po e kërkon këtë nga dita e parë”, shtoi ajo.

“Edhe te bizneset me dokumente antikushtetuese, fajet janë edhe te MINT/MTI, në të gjitha periudhat kohore që ka pranuar dokumente jo kushtetuese andaj lëreni bizneset t’i bëjnë korrigjimet e nevojshme sipas ligjit”.

Deputetja e LDK-së ka kërkuar që të aktivizohet ATK-ja të parë nëse dikush këto i ka bërë për evazion fiskal dhe organet tjera të hetuesisë e drejtësisë le t’i bëjnë të gjitha hetimet.

“Por, një gjë ta keni të qartë nuk e kemi luksin me mbyllë biznese, për me tepër MINT nuk ka as bazë ligjore për ta bërë një të tillë. Lëreni drejtësinë ta bëjë drejtësinë për secilin rast pa ndërhyrje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore