Kosova

“Banka Kursimore” pas aksionit policor në Veri: Mjetet e klientëve janë të sigurta


Ilustrim

“Banka Postare Kursimore” e Serbisë ka reaguar pas aksionit të fundit të Policisë së Kosovës, e cila të hënën mbylli gjashtë filiale të kësaj banke në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe, ku u konfiskuan një shumë e konsiderueshme e parave.

Sipas tyre mjetet e të gjitha klientëve janë të sigurta dhe nuk do të dëmtohen.

Në një komunikatë për media, Banka në fjalë, tha se përkundër “ndalimit të përkohshëm” të funksionimit të degëve në Veri të Kosovës, klientët mund të kryejnë të gjitha shërbimet bankare në degët më të afërta, të cilat ndodhen në vendkalimet kufitare me Kosovën: Jarinjë, Bërnjak, Merdare dhe Konçul.

Policia e Kosovës në një komunikatë mbi aksionin e zhvilluar të hënën në Veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, njoftoi se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të “vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë” në këtë zonë.

Për aksionin në fjalë të Policisë së Kosovës, të martën, ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

DASH-i i bëri thirrje Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). E veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, në bazë të deklaratës së DASH-it, minon perceptimet amerikane për angazhimin mirëbesues të Kosovës në procesin e dialogut.

“Ai minon perceptimin se Kosova vepron me mirëbesim për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, theksoi DASH-i.

Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Ndërkohë Serbia ngriti degë të improvizuara të kësaj banke, të destinuara për serbët nga Kosova, në afërsi të katër pikave kufitare muajin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore