Shqipëria

Banka Botërore: 7.2% rritja ekonomike në Shqipëri, por ka pasiguri


Banka Botërore ka prezantuar raportin për rritjen ekonomike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku atë më të lartën e shfaq Shqipëria me 7.2%.

Në një takim online me gazetarët, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas, paraqiti shifrat konkrete për ecurinë ekonomike shqiptare.

Pavarësisht optimizmit mbi këto premisa, Salinas ka nënvizuar faktin se ende ka shumë pasiguri për tregun shqiptar. Më së shumti, ato lidhen me rritjen e pritshme të çmimeve për energjinë elektrike.

Emanuel Salinas, menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë

Për BB-në, Qeveria duhet të marrë masa për të hartuar politikat e duhura në mbështetje të qytetarëve.

Për sa u përket shifrave të rajonit, rritja e përgjithshme është prej 5.9%. Kjo, pas një tkurrjeje prej 3.1% në periudhën e pandemisë COVID-19.

Gjatë vitit 2022 pritet, po ashtu, që Shqipëria të rrisë ekonominë në shifrat e 4.1%. Disi më pak, në 3.8%, pritet të jetë rritja gjatë vitit 2023.

Shefi i ekonomisë për Ballkanin Perëndimor, Richard Record, ua atribuoi dy faktorëve, këtë rritje të shpejtë ekonomike: Rihapja e ekonomive lokale dhe turizmi.

Gjithsesi, sipas tij, ka një risk të kthimit mbrapa, nëse këto sektorë kalojnë në rimbyllje. Ndaj, menaxhimi i pandemisë në Ballkan, lidhet ngushtësisht me qëndrueshmërinë ekonomike në gjithë rajonin.

Një rigjenerim i tregut global shihet në përgjithësi në gjithë ekonominë botërore. Sfidat më të mëdha të momentit shfaqen ato makro-fiskale.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore