Përballje

Ballkani kërkon fazën “Play-Off” në Ligën e Konferencës, vazhdimin tutje synon edhe Shkëndija


Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, do të kërkojë të vazhdojë në fazën e fundit para grupeve në Ligën e Konferencës, apo fazën “Play-Off”.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Ilir Daja do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit sonte (e enjte) me fillim nga ora 20:00 në udhëtim te ekipi i Ishujve Faroe, Klaksvik.

Ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” kishte përfunduar me rezultat 3:2, takim në të cilin Ballkani ishte duke fituar 3:0, por papritmas pësoi dy gola nga pakujdesia në mbrojtje.

Në rast se Ballkani e kalon këtë kundërshtar, atëherë në fazën e fundit kualifikuese para grupeve do të ballafaqohet me skuadrën tjetër shqiptare, Shkupin nga Maqedonia e Veriut.

Pra, kjo do të thotë se një skuadër shqiptare do ta shohim në sezonin e ardhshëm në grupet e Ligës së Konferencës.

Ndërkaq, skuadra tjetër shqiptare që është ende në garë për grupet e Ligës së Konferencës, është Shkëndija e Tetovës.

Kuqezinjtë po ashtu do të zbresin në fushë sonte, ku në stadiumin “National Arena Toshe Proeski” do të përballen me AIK-un e Suedisë.

Ndeshja e parë në Suedi kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1:1, andaj Shkëndija mund të konsiderohet favorit për të vazhduar tutje.

Në rast se tetovarët kalojnë suedezët, atëherë në fazën “Play-Off” do të përballen me të eliminuarin e çiftit Fenerbahce – Slovacko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore