Sport

Ballkani heroik


Skuadra e Ballkanit duket se ia ka marrë dorës me UEFA Europa Conference League. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja mundi në takimin e parë të turit të dytë kualifikues, 3-0, miqtë nga Irlanda e Veriut të Larne-s.

Ballkani dominoi dhe shkëlqeu në “Fadil Vokrri”, Prishtinë, mbrëmjen e kësaj të marte.

Goli i parë erdhi në minutën e 26 teksa Albion Rrahmani realizoi me një 11 metërsh. Vetëm katër minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë për vendasit. Kësaj here radha për të shënuar ishte e Almir Kryeziut.

Me golin e Kryeziut do të mbyllej edhe pjesa e parë me fitoren 2-0 të vendasve. Edhe në pjesën e dytë, Ballkani vijoj me ritmin e tij duke arritur të gjente golin sërish.

Në minutën e 66, ish lojtari i Skënderbeut, Nazmi Gripshi shënoi për 3-0.

Me fitoren e arritur, Ballkani është vetëm një hap larg turit të tretë kualifikues në Conference League. Por, më parë duhet të luajë ndeshjen e kthimit në Belfast ndaj Larne-s, e cila zhvillohet më 3 gusht.

Nëse arrin ta kalojë turin, Ballkani e di tashmë ekipin kundërshtarë në raundin e tretë. Përballë skuadrës nga Theranda do të jetë Lincoln Red nga Gjibraltari, një skuadër jo shumë e vështirë për ekipin e Dajës.

Kujtojmë që më herët, pasditen e kësaj të marte, Partizani i Tiranës luajti gjithashtu ndeshjen e parë në turin e dytë kualifikues të Conference League ku dhe fitoi 1-0 ndaj AC Escaldes.

Pjesë e turit të dytë kualifikues në Conference League janë edhe pesë skuadra të tjera shqiptare.

Struga do të përballet me Buducnost të mërkurën, më 26 korrik. Ndersa, një dit më pas, të enjten e 27 korrikut, në fushë do të vijnë përballjet:

Viktoria Plzen – Drita;

Besiktas – Tirana;

Dukagjini – Rijeka;

Shkupi – Levski Sofia.

Partizani e nis me këmbën e mbarë Conference League

Skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët e radhës në Ligën e Konferencës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore