Përballje

Ballkani debuton në garat evropiane, përballet me Zhalgiris-in në Ligën e Kampionëve


Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani sot (e marte) do të debutojë në garat evropiane dhe atë në rrethin e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Kjo është hera e parë që kampioni i Kosovës luan direkt në këtë raund të garave, ngase në vitet e mëparshme fillimisht luante në parakualifikime.

Përballë skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja do të jetë kampioni i Lituanisë, Zhalgiris.

Portokallezinjtë nga Suhareka, të hënën, e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para këtij dueli të rëndësishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, teksa trajneri Daja në konferencën për media ka thënë se skuadrën e tij e pret një përballje e vështirë.

Ai ka thënë se mungesa e përvojës në garat evropiane për Ballkanin, por edhe fakti që Zhalgiris është një skuadër që ka fituar shumë trofe në Lituani dhe që tashmë është në ritëm të lojërave pasi atje ka filluar kampionati i ri, e bëjnë këtë ndeshje të vështirë.

Ndeshja Ballkani – Zhalgiris zhvillohet në orën 20:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, teksa pritet që kampioni i Kosovës të ketë përkrahje të madhe të tifozëve.

Në rast se e kalon me sukses këtë kundërshtar pas dy ndeshjeve, atëherë Ballkani në rrethin e dytë do të ballafaqohet me skuadrën e njohur suedeze, Malmo.

E këtë javë në skenën evropiane do të prezantohen edhe Drita, Llapi e Gjilani që do të luajnë në rrethin e parë të Ligës së Konferencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore