Shqipëria

Ballkanasit e paguajnë energjinë më lirë se gjithë Evropa


Kriza energjitike nuk është thjesht pranë, por ajo tashmë është midis nesh, siç qe paralajmëruar kahera dhe tashmë e konkretizuar me rritjen e çmimit në disa vende të Bashkimit Evropian.

Për këtë arsye, barometri i statistikave evropiane, Eurostat, ka publikuar një listë me të dhënat e gjashtë muajve të fundit, të cilat i përkasin relativitetit të çmimit të energjisë elektrike në vendet e unionit dhe vende të tjera.

Në sy, bie fakti se sa shtrenjtë dhe sa taksa të shtuara, disa vende të BE-së kanë, ndërkohë që rajoni i Ballkanit Perëndimor, ka çmimet më të ulëta në gjithë Evropën.

Çmimi i energjisë së konsumit sipas Eurostat

Rekordin absolut, me mbi 10 euro për 100 kilovat mbi mesataren e vetë unionit, e mban Gjermania. Në sy bie fakti se gjermanët, rreth gjysmën e asaj që paguajnë për energjinë, e kanë taksa.

Akoma më keq është për danezët, të cilët rreth 60% të çmimit të energjisë e kanë si pasojë e tatimeve. Belgjika nga ana tjetër, ka çmim shumë të lartë, për shkak edhe të kostos reale të prodhimit atje. Në shifra të përafërta është edhe Irlanda.

Çmimi varion nga rangu i 32 eurove për 100 kilovat për gjermanët, në 25.6 euro për irlandezët.

Vende si Spanja dhe Italia, e paguajnë përafërsisht 23 euro për 100 kilovat.

Gjithë kjo, kur çmimi mesatar për BE-në, është 21.9 euro për 100 KW.

Rajoni “pa taksa”

Ballkani Perëndimor, edhe pse nuk është pjesë e BE-së, aspiron rrugën drejt unionit. Mirëpo, çmimet e energjisë, janë shumë më të ulëta dhe mbi të gjitha, të pangarkuara me taksa dominante.

Çmimin më të lartë në rajon, e mban Mali i zi me 8 euro për 100 KW.

Shqipëria, me 7.8 euro për 100 kilovat, radhitet ndër shtetet e kushtueshme për sa i përket energjisë rajonale. Mirëpo, për shtresat e ndryshme në nevojë apo kryefamiljarët pensionistë, shteti rimburson një pjesë të kësaj shume, duke e çuar çmimin në atë preferencial prej 5.8 eurosh/100 KW.

Hidrocentrali i Komanit

Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovina, kanë çmime të përafërta, me rreth 7 euro për 100 KW. Serbia shkon në 5.7 euro ndërsa Kosova, mban më të ulëtin, me 5.2 euro.

Këto çmime, janë favorizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor, edhe pse nuk ka një krahasim të drejtpërdrejtë mbi raportin paga-çmim konsumi.

Në terma të gjerë, krahasimisht me mesataren e BE-së, çmimi në Ballkan është katër herë më i ulët. Mirëpo, është përafërsisht e njëjta gjë edhe kur krahasimi bëhet për pagat, me përjashtime të vogla.

Me krizën e fundit, këto çmime mund të rriten, edhe pse nga shtetet rajonale është garantuar shpesh se diçka e tillë nuk ndodh.

Të paktën, për Shqipërinë, jo deri në janar 2022, siç është premtuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Në rast se ndodh, zgjidhje afatmesme janë premtuar, teksa masa kanë filluar të merren me fonde shtesë për energjinë. Mbi të gjitha, jo pak herë, vendet e Ballkanit kanë pamjaftueshmëri prodhimi për nevojat e tyre.

Ndaj, ato detyrohen që energjinë ta blejnë edhe me çmime të larta. Por si dhe sa do të ndikojë lëvizja e tregut në këto vende – përfshi impaktin – duhet parë kur rezervat të shterrojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore