Shqipëria

Balla vlerëson Bregun: Keqardhje që opozita nuk e propozoi për Presidente


“Kam vlerësim tejet pozitiv për Majlinda Bregun. Më vjen shumë keq që opozita nuk e propozoi për Presidente të Republikës”.

Kjo do të ishte deklarata e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulan Balla, i ftuar në emisionin “Now” në Euronews.

Sakaq Balla nuk komentoi nëse e përjashton mundësinë e kandidimit të Bregut nga vetë PS-ja, por shprehu vlerësim për ish-deputeten dhe ish-ministren e Partisë Demokratike.

Ndërkohë ai tha se ndër emrat që do të votonte për kandidatë si President do të ishte Bregu dhe Ardian Dvorani.

Majlinda Bregu takes office as the Secretary General of the Regional Cooperation Council - European Western Balkans
Majlinda Bregu

I pyetur nga drejtuesja e emisionit nëse emri i Bregut dhe Dvoranit janë në listën e emrave që do të diskutohen të premten në kryesinë e PS-së, ai nuk e mohoi.

Kreu i grupit tha se shpreson që kandidatin e socialistëve për President ta mbështesin më shumë se sa 74 deputetë.

“Shqipëria duhet të ketë një president sa më të pranuar nga të gjitha shqiptarët. Prandaj kemi thënë që nuk duam një president të PS-së, por të të gjithë shqiptarëve”, theksoi Balla.

Ndërsa sa i përket marrëveshjes me opozitën për zgjedhjen e Presidentit, Balla rihteksoi se PS-ja i ka qëndruar asaj.

“I kemi qëndruar fjalë për fjalë marrëveshjes me opozitën, një marrëveshje publike ku është thënë se në raundin e dytë dhe të tretin nuk do të propozojmë”, u shpreh ai.

Ndër të tjera ai shtoi se mazhoranca ka dashur të zgjidhet presidenti në një prej tre raundeve të para, ku Kushtetuta parashikon një dialog me opozitën.

Ndër të tjera Balla sërish i ka zgjatur dorën opozitës që të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Në raundin e katërt emri do të vijë nga pala mazhoritare, sipas tij.

Çfarë ka ndodhur?

Një ditë më parë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u miratua data 4 qershor për raundin e katërt të votimeve.

Kujtojmë që tre raundet e votimeve për një President konsensual “dështuan”.

Mazhorancë-opozitë kishin arritur në një marrëveshje që përgjatë tri raundeve të para – siç e parashikon dhe Kushtetuta që Presidenti zgjidhet me 84 vota – do të ishte kjo e fundit që do propozonte emra. Ndërsa mazhoranca pas raundit të katërt.

Tanimë mazhoranca, pas ndryshimeve kushtetuese, ka të drejtën ta propozojë dhe ta zgjedhë e vetme Presidentin me një shumicë të thjeshtë votash, 71.

Çfarë parashikohet në Kushtetutë?

Procesi për zgjedhjen e Presidentit kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.

Kushtetuta parashikon se, nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president konsensual, atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.

Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e katërt.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.

Në krye të shtetit, që prej 2017-ës, është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore