Shqipëria

Balla në luftë të hapur për spastrimin e Policisë, kërkon ta çojë sundimin e ligjit në tjetër nivel


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar menjëherë pas ndalimit të një oficeri të Policisë në Durrës, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion në radhët e forcave blu dhe është bërë ndalimi në flagrancë nga ana e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme në AMP dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Sipas Ballës, kjo luftë e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit brenda vetë organizatës së Policisë, është çfarë do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

“Sapo kemi dërguar para drejtësisë një tjetër oficer policie me gradën N/Komisar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, të përfshirë në korrupsion dhe minim të luftës së policisë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”, thekson ministri Balla, duke përgëzuar edhe strukturat, të cilat morën pjesë në këtë operacion.

Ai po ashtu ka shprehur bindjen për forcimin e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe ajo që ai e konsideron si lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit.

Nga AMP më herët, u bë me dije se oficeri i Policisë, N/komisar Ardit Xhafa, 31 vjeç, në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ishte ndaluar.

Ndalimi u krye në funksion të procedimit të regjistruar nga kjo Prokurori mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Nga hetimet e kryera janë arritur të dokumentohen veprimet korruptive të oficerit Xhafa, i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra si oficer në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës e duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare.

Hetimet vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundraligjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore