Balla mbledh delegatët: Një mandat më shumë në 2025-n nga Fieri për PS

SHFLETO
Rajmonda Basha
23.06.2024 10:45
Loading Icons...

Ministri i Brendshëm, njëherësh dhe drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Taulant Balla, në takimin me delegatët e Kongresit Zgjedhor të PS në Fier, deklaroi se objektiv mbetet fitorja e një mandati më tepër për Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme të 2025-ës.

“Janë organizatat më të mira që kanë bërë përmirësimin më të mirë qoftë në aspektin e numrit të anëtarëve të Partisë, qoftë në aspektin e përmirësimit të përbërjes gjinore, qoftë në aspektin e afrimit të të rinjve për përmirësimin e moshës mesatare dhe dua t’i nxis të gjitha organizatat tona në të gjithë territorin e qarkut, që ky është një proces që nuk ka përfunduar, siç e kemi thënë, ky është një proces jetik për Partinë Socialiste. Duhet të vazhdojë organizimi me detyra konkrete, ky është dhe synimi i Kongresit që do mbledhim pas pak ditësh për t’i hapur rrugën gjithë përgatitjes elektorale të Partisë Socialiste, e cila në synimin e vetë nuk ka vetëm fitoren në zgjedhjet e prillit apo të majit të vitit të ardhshëm, por unë do thoja që të shtojmë numrin e mandateve tona në këto zgjedhje”.

Ai theksoi se “i kemi të gjitha mundësitë që të shtojmë një mandat të paktën në zgjedhjet e vitit 2025 në Fier dhe ky është një objektiv tërësisht i arritshëm. Nuk po marr për referencë zgjedhjet vendore të vitit 2023, të cilat nëse i referohemi votës sa i përket kryetarëve të bashkive që ishte një votë do thoja e qartë dhe e pandarë politike. Ky objektiv është më se i arritshëm”.

Kjo ka ndodhur, sipas tij, në vitin 2017, kur PS mori 10 mandate dhe duhet dhe do të ndodhë domosdoshmërisht në një nga të dielat mes 15 prillit dhe 15 majit të vitit të ardhshëm.

Parimi është vendosur që 3 në 4 delegatë do të jenë të zgjedhur për herë të parë, me kuota të garantuara për gratë dhe të rinjtë, duke thelluar kështu më tej procesin e rienergjizimit të Partisë, sipas ministrit.

“Ne do të kemi 20 anëtarë të Asamblesë Kombëtare të ndarë respektivisht: 5 Bashkia Lushnjë, 3 Bashkia Divjakë, 8 Bashkia Fier, 2 Bashkia Patos, 1 Roskovevi dhe 1 Mallakastra. Ne nuk nisemi për realizimin e këtij objektivi nga situata e shkatërruar e opozitës, por nisemi nga gjithçka kemi bërë gjatë këtij mandati të tretë dhe në gjithçka kemi bërë në këto njëmbëdhjetë vite të qeverisjes së Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës, dhe nisemi nga nevoja për të bërë të pakthyeshëm progresin që kemi arritur deri më tani dhe për të çuar përpara një sërë reformash që janë në proces zbatimi”, nënvizoi Balla.

Mbledhja e delegatëve zhvillohet në bazë qarku, drejtohet nga drejtuesi politik i qarkut, norma e përfaqësimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare që zgjidhen nga Kongresi është një anëtar një votë, për 650 anëtarë partie sipas normës së miratuar.

Numri i kandidatëve të propozuar sipas qarqeve, bashkive në përbërje të tyre, duhet të jetë të paktën plus një nga numri i atyre që zgjidhen, deri në 50% mbi numrin e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare që zgjidhen.