Shqipëria

Balla kërkon që qytetarët të jenë partnerë kryesorë kundër paligjshmërive


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka kërkuar që publiku të jetë partneri kryesor i Policisë së Shtetit në mbrojtjen e vendit dhe të qytetarëve, ndaj çdo lloji paligjshmërie.

Kështu ka bërë me dije ai gjatë një takimi me zëdhënëset e Policise në 12 qarqe të vendit, ku theksoi se sfida më e madhe është ngritja në një nivel tjetër të bashkëpunimit dhe komunikimit të publikut me Policinë e Shtetit, si dhe ka nënvizuar se për çdo ngjarje komunikimi duhet të jetë i menjëhershëm për të bërë një transparencë të plotë për çdo çështje.

“Prej disa javësh tashmë, Policia e Shtetit në çdo ngjarje apo incident, është e para që bën reagimin dhe që jep informacionin e parë paraprak, të bazuar tërësisht në procedura duke ruajtur dhe sekretin hetimor, që është element tepër i rëndësishëm. Kjo praktikë do të vazhdojë të konsolidohet”, nënvizoi ai.

Po ashtu, Balla e vuri gishtin te drejtuesit e Policisë, të cilët sipas tij duhet të kuptojnë se strukturat e rendit duhet të kenë komunikim të menjëhershëm me publikun lidhur me çdo ngjarje.

Çdo ankesë e qytetarëve, duhet të jetë një prioritetet për uniformat blu, shtoi më tej, pasi çdo ankesë e ardhur prej qytetarëve dhe që ndiqet e zbardhet, rrit besimin ndaj Policisë.

Ai po ashtu përmendi edhe betejën ndaj dezinformimit, ku mbi këtë, kërkoi sërish me ngulm që të jetë Policia e Shtetit, ajo e cila jep e para njoftimet lidhur me ngjarjet.

“Besoj që ju e dini se beteja më e madhe që ka sot demokracia dhe shoqëria, është beteja me dezinformimin, dhe ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që partneritetin tonë me qytetarët, të cilët janë partneri ynë më i rëndësishëm, mos e harroni kurrë, Policia e Shtetit ka si partnerë të vetin më të rëndësishëm qytetarët, të cilët duhet t’i falënderojmë sa herë që na marrin në telefon”, piketoi ai.

Më tej, vijoi duke përkufizuar se “një ankesë e një qytetari, është baza mbi të cilën mund të shkojmë për të hetuar dhe pastaj për të vënë para drejtësisë, një keqbërës”.

“Sa më shumë besim që t’ju japim ne qytetarëve, sa më shumë të ndjekim ne çdo ankesë që vjen nga qytetarët, aq më shumë do rritet besimi i qytetarëve te ne”, përmblodhi Balla.

Teksa, në fund, kujtoi edhe një aspekt me rëndësi, siç është rritja e numrit të denoncimeve nga ana e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore