Shqipëria

Balla e quan krim kundër shtetit plagosjen e policit 28-vjeçar


Plagosja e një polici 28-vjeçar në Pilur, ka sjellë reagimin e menjëhershëm nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili e ka thënë prerazi se kush guxon të ngrejë dorë ndaj një punonjësi të Policisë, po kryen një krim të rëndë kundër shtetit.

Lidhur me çështjen madje, ai do të flasë më gjatë në një çast të dytë, teksa ka bërë me dije se gjendja shëndetësore e efektivit 28-vjeçar, Redian Çaushaj, po shkon drejt përmirësimit, por ende është në luftë për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës.

Polici i ri, me detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit, pavarësisht se ka qenë jashtë orarit zyrtar të detyrës, ka parë një konfliktim mes disa personave në zonë dhe është afruar menjëherë për të shuar gjakrat.

U plagos pasi ndërhyri për shuarjen e një konflikti, në gjendje kritike një polic 28-vjeçar

Mirëpo, ndërhyrja ka sjellë reagimin e një prej personave të përfshirë në ngjarje, i cili menjëherë ka goditur me thikë në qafë Çaushajn, duke e plagosur atë rëndë.

Autori i identifikuar si Thedhori Mërkuri, një 60-vjeçar, banues në fshatin Pilur, është arratisur menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke parë edhe orën e vonë dhe errësirën në zonë.

Në ndjekje të tij janë vënë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, grupe të FNSH dhe të forcave operacionale të DVP Vlorë.

Arrestohet autori i plagosjes së policit në Pilur

Këto të fundit kanë bërë të mundur kapjen e tij në orët e para të mëngjesit dhe e kanë vënë në pranga autorin.

Prej orësh ndërkaq, punonjësi i Policisë me detyrë inspektor në zonën e Lukovës, ndodhet në sallën e operacionit dhe kolegët e tij policë, i janë gjendur pranë duke dhuruar gjak.

Balla nga ana tjetër ka kërkuar nga ana tjetër që ngjarja të hetohet plotësisht nga Prokuroria e Vlorës, në mënyrë të pavarur, duke dhënë edhe një ndëshkim të ashpër për fajtorin në ngjarje.

Sa i përket efektivit, ai do të vijojë të mbetet në Reanimacionin e Vlorës, pas konsultimeve me mjekët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore