Kosova

Bajrami, Qeverisë: S’keni lënë asnjë shenjë që të kujtoheni për të mirë – krenoheni me mospunë dhe dembeli


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të cilët kanë pretenduar se Kosova ka pasur rritje në buxhetin shtetëror edhe në kohën e pandemisë.

Bajrami, ka thënë se aktualisht pushteti është duke u krenuar me mospunën e tyre.

“Kur pas tri viteve s’keni qenë në gjendje të e përfundoni asnjë projekt të madh, as një rrugë magjistrale, asnjë urë, asnjë hekurudhë, nuk keni ndërtuar 160 çerdhet e premtuara, 5 shtëpitë për të moshuarit, nuk keni renovuar asnjë shkollë, nuk keni ndërtuar as një spital dhe nuk e keni lënë asnjë shenjë të vetme për tu kujtuar për të mirë – krenoheni me borxhin publik të ulët?!”.

Deputetja e LDK-së i ka kujtuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), se fondet e IPA-së vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të sanksioneve nga Bashkimi Evropian.

“Për me tepër, mos të harrojmë se në kohën kur mospuna juaj e zvogëlon borxhin publik janë mbi 500 milionë euro të tjera projekte të bllokuara që financohen nga fondet e IPAs, ËBIF dhe donatorëve bilateral, që janë të bllokuara që një vit për shkak të masave që Bashkësia Evropiane i ka vënë Kosovës në qeverisjen e juaj”, ka shkruar ajo.

Ajo ka shtuar se “dëmi që po i bëhet vendit tejkalon shumëfish benefitet e juaj nga pushteti”.

Sipas ministrisë së Financave, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me sukses ka kthyer nivelin e borxhit shtetëror në nivelin para pandemisë duke arritur që ta zvogëlojë nivelin e borxhit shtetëror si përqindje të BPV-së edhe në raport me periudhën para pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore