Gjykata Speciale

Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj


Ismet Bahtijari.

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë marrë vendim që t’i vazhdohet paraburgimi Ismet Bahtijarit edhe për dy muaj të tjerë – i cili dyshohet se ka organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

Ky vendim është marrë më 28 maj të 2024-së nga gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou.

“Gjyqtari i procedurës paraprake: URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Bahtijari; URDHËRON z. Bahtijari, nëse dëshiron ta bëjë këtë, që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit deri të premten, 28 qershor 2024 në ora 16:00, me përgjigje dhe kundërpërgjigje pas afatit kohor të përcaktuar në Rregullën 76 të Rregullores”.

“UDHËZON ZPS-në, nëse z. Bahtijari vendos të mos paraqesë asnjë parashtresë brenda afatit të lartpërmendur, të dorëzojë parashtresa në shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Bahtijari deri të premten, 5 korrik 2024, dhe z. Bahtijari, nëse dëshiron ta bëjë këtë, të paraqesë paraqitjet e tij jo më vonë se e premtja, 12 korrik 2024”, thuhet në vendimin e DhSK-së.

Më 19 shkurt, një aktakuzë ndryshe është dorëzuar ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, të cilët akuzohet për pengim të drejtësisë.

Përmes një njoftimi të lëshuar nga Dhoma e Specializuara të Kosovës (DhSK), ishte thënë se aktakuza tregon saktësinë e çështjes për të cilën po akuzoheshin Bahtijari dhe Januzi.

“Në pajtim me vendimin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake më 8 shkurt, ZPS-ja dorëzoi versionin e ndryshuar të aktakuzës fillestare kundër Januzit dhe Bahtijarit”.

“Në vendim, Gjykatësi i Procedurës Paraprake erdhi në përfundim se aktakuza e ndryshuar, jo vetëm që korrigjon mbiemrin e Bahtijarit po gjithashtu përmirëson qartësinë dhe saktësinë e çështjes dhe nuk është e padrejtë apo në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarve”.

Duke theksuar se aktakuza për çështjen e përbashkët ku akuzohet edhe Haxhi Shala, akoma s’është përfunduar.

Më 13 shkurt, Dhomat e Specializuara të Hagës i kanë kërkuar Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë ta informojë për statusin financiar lidhur me procesin gjyqësor ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës të cilët akuzohet për pengim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, komandant “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.

Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime “kërcënuese” dhe “shantazhuese” ndaj dëshmitarit, duke synuar, siç pretendojnë nga Specialja, të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.

Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, të hënën e 11 dhjetorit ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën u transferua në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore