Shqipëria

Azerbajxhani është konsultuar edhe me Shqipërinë për integrimin e rezidentëve armenë në Karabakh


Një takim me rëndësi ka ndodhur mes ministrit të Jashtëm shqiptar, Igli Hasani dhe homologut të tij azer, Jeyhun Bayramov, në New York të SHBA-ve, ku Azerbajxhani ka kërkuar edhe një mendim nga Tirana zyrtare, lidhur me situatën e fundit të krijuar në rajonin separatist të Nagorno-Karabakhu.

Integrimi i rezidentëve armenë në Karabakh ka qenë pjesë integrale dhe shtyllë kryesore e takimit mes dy kryediplomatëve.

Kjo vjen edhe në vazhdën e një debati që Presidenca shqiptare e Këshillit të Sigurimit drejtoi sa i takon çështjes, më 22 shtator.

Shqipëria kryeson takimin “Armeni – Azerbajxhan” në Këshillin e Sigurimit pas përshkallëzimit në Nagorno-Karabakh

Lidhur me këtë të fundit, Shqipëria e theksoi qëndrimin e shqetësuar sa i takon situatës shumë të brishtë në këtë çështje madhore mes dy vendeve fqinje – Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Sa i përket takimit mes diplomatëve ndërkaq, bëhet me dije se Bayramov e ka informuar Hasanin për situatën dhe i ka shpjeguar atij veprimet e ndërmarra nga Baku-ja, duke garantuar po ashtu se qëllimi i Azerbajxhanit është ai i normalizimit të raporteve me Armeninë.

Po ashtu, ai ka garantuar se do të merren masa për integrimin e popullatës armene në rajonin e Karabakh-ut.

U theksua se veprimet provokuese të Armenisë dhe regjimit ilegal, sipas azerëve, pavarësisht përpjekjeve të bëra përmes partnerëve ndërkombëtarë të tërhequr, shkaktuan tension në rajon.

U tha po ashtu se masat e marra nga Azerbajxhani synojnë neutralizimin e infrastrukturës së paligjshme ushtarake të armenëve, çarmatimin dhe tërheqjen e mbetjeve të forcave të armatosura armene nga territoret e Azerbajxhanit.

Bayramov vuri në dukje se ka lindur një mundësi historike për riintegrimin praktik të banorëve armenë të rajonit të Karabakut të Azerbajxhanit dhe shprehu besimin se takimi i mbajtur në Yevlakh do të sjellë rezultate pozitive.

Ndër të tjera ndërkaq, vend në agjendë ka zënë edhe bashkëpunimi mes dy palëve, i cili është forcuar së tepërmi në vitet e fundit dhe ka rezultuar edhe në hapjen e ambasadës së parë azere në Shqipëri, që prej vendosjes së raporteve diplomatike 30 vjet më parë.

Gjatë takimit, palët shkëmbyen mendime edhe për çështjet energjetike, tregtare, ekonomike të agjendës mes dy vendeve, mundësitë ekzistuese për investime, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët për vendet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore