Lajme

AVUK asgjëson 120 mijë shpezë këtë vit, të sëmura me grip


Lamir Thaçi, zyrtar për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë

Gripi i shpezëve është përhapur në shumë nga vendet e Ballkanit.

Në Kosovë, vetëm në katër mujorin e parë të këtij viti janë asgjësuar 120 mijë shpezë, për të penguar përhapjen e sëmundjes, ka deklaruar Lamir Thaçi, zyrtar për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Madje, ai ka potencuar se kudo që njoftohen për dyshime të këtij gripi, ekipet inspektuese dërgohen menjëherë në vendin e ngjarjes të cilët më pa, asgjësojnë çdo fermë në të cilat shpezët rezultojnë pozitiv.

“Kudo që ka dyshime ne menjëherë dërgojmë ekipet inspektuese dhe marrim mostra dhe testojmë laborator dhe secila fermë që rezulton pozitiv sipas procedurës ligjore ne me procedurë të shpejtë kryejmë asgjësimin për të penguar përhapjen e këtij gripi”, ka deklaruar Thaçi për EO.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka treguar se Kosova nuk mund të marrë masa ndalimi të importit për këtë lloj të mishit para se sëmundja të lajmërohet në atë shtet të caktuar.

“Ndalesat nga shtete në të cilat shpërthen sëmundja gjithmonë hyjnë në fuqi në ditën që ato lajmërohen në organizatën e OJES. Kjo është rregull ligjor që zbatohet nga të gjitha shtetet. Janë disa që janë prekur nga gripi i shpezëve gjatë këtij viti”.

“I kemi pasur disa raste me avion influence. Të gjitha këto sëmundje sipas ligjit kërkohet që të menaxhohen nga ana e autoritetit dhe ne me sukses kemi arritur që deri më tani ta mbajmë nën kontroll situatën dhe ti ruajmë fermat komerciale sepse aty është numri më i madh i shpezëve dhe deri më tani kemi vetëm një fermë komerciale të prekur”.

Përveç shpezëve ai ka sqaruar se janë asgjësuar rreth 45 mijë kilogram mish dhe 100 mijë kilogram qumësht.

“Të cilat në çfarëdo forme nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore për konsum dhe në secilin rast inspektori ka vendosur për asgjësimin e tyre”, ka përfunduar Thaçi.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore