Lajme

Avokati i Thaçit në Hagë: Ai dhe të tjerët po mbahen në paraburgim me supozime


Dastid Pallaska

Për avokatin Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë, mbajtja e Thaçit në paraburgim është si rrjedhojë e supozimeve se ai mund të ndikojë në zhvillimin e procedurave të Gjykatës Speciale, ani pse deri më tani nuk janë ofruar prova konkrete që e arsyetojnë këtë dyshim.

Sipas tij, Gjykata Speciale, të cilën e themeloi vet Kosova, nuk beson institucioneve të shtetit dhe se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të fillojë në fund të këtij vitit.

“Policia e Kosovës trajtohet sikur të ishte ndonjë kompani private që duhet të ofrojë garanci për vullnetin e vet për të përmbushur apo për të zbatuar urdhrat e gjykatës. Ne e dimë që Poilicia e Kosovës është një institucion publik që e ka detyrim ligjor dhe kushtetues që të përmbarojë urdhrat e gjykatës”, ka thënë Pallaska, për agjencinë e lajmeve Kosova Press.

Pallaska, ka theksuar se gjatë vitit të kaluar procedurat në Gjykatën Speciale për Hashim Thaçin dhe të tjerët janë shoqëruar me shkelje të mëdha të cilat kanë vështirësuar punën e mbrojtjes.

“Kryesisht kemi pasur të bëjmë me mocione preliminare ku kemi kundërshtuar juridiksionin e kësaj gjykate në kuptim që juridiksioni ashtu siç është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, është tejet i kufizuar, pra çfarëdo vepre penale që ndiqet penalisht atje duhet të jetë e ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejt me pretendimet e Dick Martyt”, ka shtuar ai.

Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale

Avokati i Thaçit madje potencon se nuk ekziston asnjë kusht për mbajtjen e tij në paraburgim, dhe se trajtimi ndaj tij dhe të tjerëve po bëhet sikur të njëjtit të ishin arrestuar e jo të dorëzuar në mënyrë vullnetare.

“Asnjë kusht për mbajtjen e Thaçin në paraburgim nuk ekziston, përkundër kësaj ai mbahet atje me supozime, hipoteza se mund të ndikojë te ndonjë procedurë”.

Ai thotë se prokuroria ka ngritur aktakuzë pa qenë e gatshme plotësisht, e çka sipas tij, paraqet një jo seriozitet nga ana e tyre.

“Prokuroria e ka dorëzuar aktakuzën e vet tash më shumë se një vit e gjysmë, ndërsa ende hetimet vazhdojnë. Ky është treguesi më i mirë që prokuroria ka qenë tërësisht e papërgatitur dhe dorëzimi i aktakuzës, fillimi i kësaj çështjeje ka qenë i ndikuar ndoshta prej çështjeve që nuk janë të natyrës juridike”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore