Lajme

Avokati i Gucatit në Speciale: Shqetësuese fakti se si ZPS ka kompetenca vetëm në Kosovë e jo edhe në Serbi


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku këtë të martë po mbahet seanca për dhënien e deklaratave përmbyllëse nga mbrojtja e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, avokati i këtij të fundit Jonathan Elystan Rees ka thënë se qasja ndaj tyre është selektive për shkak të mungesës së kompetencave të Zyrës së Prokurorisë Speciale edhe në Serbi.

Avokati Rees e ka paraqitur si shqetësues faktin se si ligji kërkon që ZPS të veprojë në mënyrë të pavarur krahasuar me autoritet e Kosovës, por nuk specifikon të njëjtën gjë edhe për Serbinë.

“Kjo Gjykatë Speciale që është ngritur duhet të ndjekë edhe krimet e kryera nga serbët dhe Serbia, nuk e mendoj që është e drejtë e barabartë kjo lloj drejtësie. Ata duhet ta bëjnë punën e tyre të drejtë dhe në mënyrë të barabartë”, ka thënë Rees.

Jonathan Elystan Rees

Sipas Rees, Gucati dhe Haradinaj kanë kërkuar nga kjo gjykatë, që të hetohen të gjitha krimet dhe se ata nuk janë kundër drejtësisë.

“Prokuroria përqendrohet dhe përjashton çdo gjë tjetër, heq fjalët e caktuara dhe merr vetëm ato fjalë të cilat do të mbështetet, prokuroria fokusohet se Gucati dhe të tjerët duan të zhbëhet gjykata përmes mjeteve ligjore, por ata nuk marrin parasysh kontekstin që e ka thënë vazhdimisht Gucait gjatë kësaj procedure, që ai dhe ata kërkojnë që të bëhet një gjykatë që heton të gjitha krimet, nuk janë kundër drejtësisë”.

Më tutje Avokati i Gucatit ka potencuar se krerët e OVL-UÇK-së nuk u kishin ofruar qasje në dokumente askujt përveç përfaqësuesve të shtypit dhe se sipas tij që të dy kanë kërkuar nga gazetarët që të mos i publikojnë emrat e dëshmitarëve të mundshëm që ishin pjesë e dosjeve që kishin arritur në zyrat e OVL-UÇK-së nga personat ende të pa njohur.

“Në paragrafin 66 të dosjes së tyre përfundimtare, ZPS thotë që njerëzit të tjerë përveç anëtarëve të shtypit kanë pasur mundësi të hyjnë në këtë ndërtesë dhe mund t’i kenë parë këto dokumente, kjo nuk ka asnjë provë dëshmon që njerëz të tjerë përveç gazetarëve mund të kenë pasur qasje në këto dokumente”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore