Kosova

Avokatët nga Kosova njihen zyrtarisht nga Gjermania


Ilustrim

Avokatët nga Kosova tanimë edhe zyrtarisht njihen nga Gjermania.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Përmes një postimi në Facebook, Ajeti tha se “tani e tutje, avokatët e licencuar nga Republika e Kosovës do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë”.

“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, por edhe për drejtësinë kosovare”, tha ai.

Ndërkaq, diplomati kosovar theksoi se “të njohur nga një vend i rëndësishëm si Gjermania, avokatët nga vendi ynë mund të përfshihen më lehtë në raste ndërkombëtare dhe të ofrojnë ekspertizën e tyre në çështje juridike”.

“Ky kapitull i ri ofron një mundësi të jashtëzakonshme, që dija dhe përvoja e avokatëve kosovarë të jenë në proporcion të drejtë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të integrimit juridik, përkatësisht të përshtatmërisë së kuadrit ligjor të avokatisë kosovare me atë gjermane dhe evropiane”, shtoi ai.

Për këtë, Ajeti falënderoi Ministrinë Federale të Drejtësisë së Gjermnaisë, siç tha ai, “për besimin e vazhdueshëm ndaj Republikës së Kosovës!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore