Shqipëria

Autoritetet shqiptare dënojnë njëzëri sulmin terrorist në rajonet jugore izraelite


Një inkursion i organizuar i militantëve të Hamasit në rajonet jugore izraelite ka shkaktuar deri më tani 40 të vrarë dhe 750 të plagosur, thotë qeveria izraelite.

Sulmi terrorist është dënuar gjatë të shtunës nga të gjithë aktorët politik, qeveritar dhe diplomatik të Shqipërisë.

Fillimisht, ishte Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili dënoi ashpërsisht sulmet e militantëve të Hamasit në Izrael, ku një inkursion i organizuar mori jetë mëngjesin e 7 tetorit.

Në një shkrim në median sociale X, njohur më parë si Twitter, Begaj shkruan se Shqipëria i qëndron përkrah Izraelit në këtë kohë të vështirë dhe se lutjet shkojnë për viktimat dhe familjarët e tyre.

Po ashtu, kreu i shtetit nënvizon se Shqipëria qëndron e vendosur kundër çdo akti terrorizmi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga ana tjetër ka pohuar se autoritetet shqiptare do të qëndrojnë të vendosura kundër terrorizmit, duke cituar statusin e tij në median sociale “X”.

“Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, thekson kreu i Qeverisë shqiptare duke iu adresuar homologut izraelit Benjamin Netanyahu.

Kryekuvendarja Lindita Nikolla ka pohuar se Shqipëria është në krah të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e paqes.

“Parlamenti dënon ashpër sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit dhe qëndron pranë popullit izraelit në këto momente të vështira. Lutjet tona janë me viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre në Izrael. Shqipëria është në krah të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e paqes”, nënvizoi ajo në reagimin e saj.

Po ashtu, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka dënuar ashpër në emër të diplomacisë shqiptare sulmin e përgjakshëm të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit, ku mijëra raketa janë lëshuar në zonat jugore, një numër i pacaktuar personazh kanë mbetur të vrarë dhe 35 shtetas izraelitë janë raportuar të marrë peng.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e mëngjesit të sotëm nga Hamasi kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruan kryediplomati shqiptar.

Nga ana tjetër, prej MEPJ-së është bërë me dije se nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar nga ngjarjet.

Në bazë të njoftimit nga MEPJ-ja, situata po monitorohet imtësisht dhe për këto që ka nevojë për ndihmë, është ofruar edhe një numër telefoni me udhëzimet përkatëse.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë në Izrael, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën Shqiptare në Izrael në numrin e kontaktit +972 54-4806601”, thuhet në njoftimin për media.

Kryedemokrati Lulzim Basha garantoi se opozita qëndron pranë popullit dhe shtetit të Izraelit dhe miqve tanë në këtë orë të vështirë për ta.

“I tronditur thellë nga sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Mendimet dhe lutjet e mia janë me viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre, duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve. Ne qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit të Izraelit dhe miqve tanë në këtë orë të vështirë për ta”, vëren Basha.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se sulmet ndaj të pafajshmëve janë “forma më e ulët e frikacakëve dhe kërcënim për të gjithë ne qytetarët e botës”.

“Tirana qëndron me miqtë tanë izraelitë të prekur nga ky nivel i paprecedentë barbarie! Në fund ajo që është e drejtë do të mbizotërojë, si gjithmonë!”, shkruan Veliaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore