Shqipëria

Autoritetet sekuestrojnë pasuritë e paluajtshme të Alda Klosit


Autoritetet shqiptare kanë sekuestruar të dielën e 12 shkurtit pasuri të paluajtshme në pronësi të ish-zyrtares së lartë të shtetit Alda Klosi, e cila u arrestua disa ditë më parë.

Bëhet fjalë për një apartament dhe një garazh në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, sekuestruan pasuri të palujatshme në pronësi të shtetasit A. K., konkretisht një apartament dhe një garazh në rrugën ‘Kongresi i Lushnjës'”, vëren njoftimi zyrtar.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, sakaq për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjykata e Tiranës vendosi më herët masën “arrest në burg” për Klosin e cila u arrestua nga Policia nën akuzën për “pastrim parash”, “fshehje pasurie” dhe “deklarim të rremë”.

Klosi u arrestua në orët e para të 4 janarit nga Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë.

Avokati i saj, Ilirjan Muho në një komunikim për mediat, deklaroi se pastruesja Rozeta Dobi ka dhënë deklarime të pavërteta, duke theksuar se nuk do të habitej nëse në ditët në vijim të ndryshonte sërish dëshminë.

“Alda Klosit i është thënë vetëm çfarë të ka humbur dhe na jep përshkrimin e sendeve që të kanë humbur. Lekët janë për xhaxhain sepse kishte nevojë për të përballuar shpenzimet për kurimin në Amerikë. Mos u çudisni kur të jeni para një deklarimi tjetër”, tha ai.

Gjithçka nisi pas denoncimit për vjedhjen e banesës te “Rruga e Kosovarëve” nga ish zyrtarja shtetërore, të cilët duket se zbulimi i vjedhjes së shtëpisë i ka sjellë edhe pasoja hetimore.

Në burg ra sanitarja e shtëpisë së saj, Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi.

Ata u akuzuan se kishin vjedhur 120 mijë euro në banesën e ish-zyrtares së shtetit dhe më pas u zbulua edhe një shumë tjetër e vjedhur nga ata, por ende pa pronar – 400 mijë euro.

Klosi deklaroi se 120 mijë eurot që ia kishin vjedhur, ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia kishte lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer.

Kështu, 400 mijë eurot ende nuk kanë një pronar, vetë Klosi ka deklaruar se shifra që ajo posedonte ishte 120 mijë euro, por shuma kap një vlerë shumë të lartë krahasuar me të ardhurat e saj si e punësuar në shtet.

Arrestohet Alda Klosi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore