Shqipëria

Autoritetet caktojnë kufizimet e qarkullimit të automjeteve për “Ditën e Verës”


Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit kanë bërë zyrtar planin e masave organizacionale për mbarëvajtjen e festimeve të “Ditës së Verës”.

Autoritetet pritet të kufizojnë qarkullimin e automjeteve për mbarëvajtjen e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës në kuadër të Ditës së Verës që prej të hënës.

Më datë 13 mars nga ora 07:00 deri në datë 14 mars orën 18:00, sheshi “Nënë Tereza” parashikohet të jetë i mbyllur.

Më datë 14 mars nga ora 08:00 deri në orën 16:00, katër bulevarde do të jenë po ashtu të mbyllura: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ministria e Brendshme deri në fillim të “Ish Hotel Dajti”; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e ish Hotel Dajtit deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi”; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi me rrugën “Gjergj Filipi”.

Nga kjo mbyllje do të përfshihet edhe segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzim i Gjykatës së Lartë me dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rruga “Ibrahim Rugova” nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me Bulevardi “Bajram Curri “.

Mes të tjerash, parashikohet edhe kufizimi i qarkullimit të automjeteve nga data 13 mars ora 12:00 deri në datën 14 mars në orën 23:00, në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet sipas planit të lëvizjes më poshtë: Në rrugët “Lek Dukagjini”, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Abdyl “Papa Gjon Pali II”, në Bulevardin “Zhan D’ Ark dhe Bulevardin “Bajram Curri”.

Për segmentin e rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Gjykatës së Lartë me drejtim dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit” drejtim i detyruar djathtas.

Itinerari i lëvizjes së mjeteve të linjave urbane do të vazhdojë lëvizjen si më poshtë: Të gjitha linjat që kalojnë në rrugën “Abdi Toptani” të devijojnë në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit” me drejtim bulevardin “Bajram Curri.

Ndërsa linja “Tirana e Re” do të devijojë tek sheshi “Wilson” dhe tek Bulevardi “Zogu I”.

Dita e Verës

Do të jenë 100, aktivitetet e zhvilluara me rastin e festës së Ditës së Verës në Tiranë, ku 14 marsi do të shohë të mbushur zonat nga sheshi “Skënderbej”, deri në atë “Nënë Tereza”.

Me një agjendë voluminoze kulturore, sportive, edukimi, kulinarie por edhe teknologjie, Tirana do t’i ofrojë kështu të gjithëve një mundësi argëtimi me rastin e Ditës së Verës.

Ka qenë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ai i cili i ka publikuar edhe ngjarjet që do të prekin kryeqytetin.

Me fillim në orën 09:00, do të marrin jetë disa aktivitete në pjesë të ndryshme të Tiranës, ku kryesisht zona e sheshit “Nënë Tereza” do të jetë e mbushur me ngjarje sportive.

Të gjithë sportet, që nga ato më të luajturit si futbolli e basketbolli, e deri te mundja, xhudo apo edhe poligon, do t’i japin mundësi fëmijëve dhe adoleshentëve të argëtohen.

Një kënd i veçantë do të jetë i ruajtur edhe për ata, të cilët janë të apasionuar pas lojërave elektronike.

Në zonën e Piramidës së Tiranës, gjithçka do të flasë për teknologjinë dhe kulturën, me organizime të ndryshme lidhur me letërsinë, botën kompjuterike dhe laboratorët.

Sheshi “Skënderbej” do të shohë koncerte të ndryshme, që prej atyre folklorikë, te muzika e lehtë e deri tek ajo elektronike.

Sërish sport do të ketë në zonën e parkut të madh të liqenit artificial, me organizime të ndryshme të klasave sportive dhe kompeticione.

Parku “Europa” do të shohë nga ana tjetër organizime lidhur me artin, ku do të ketë ekspozita, kurse pikture dhe animatorë për më të vegjlit.

Koncertet festive do të zënë vend në parkun e madh të liqenit me fillim prej orës 16:45, deri në orën 19:00, me larmishmëri zhanresh muzikore dhe artistësh të ftuar.

Përballë Kryeministrisë, do të ketë ndërkaq një ekspozitë me makina të Ushtrisë shqiptare, ato të vjetra, si edhe do të ketë kënde për ndërgjegjësimin e sigurisë rrugore.

Ndërkaq, përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, që prej orës 09:00, do të ketë panaire artizanale, kënde gatimi, si edhe spektakël nga artistët e Cirkut Kombëtar dhe ata të Teatrit të Kukullave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore