Lajme

Autokratët po dobësohen, thotë “Human Rights Watch”


Aktet represive të shtuara dhe dhuna kundrejt qytetarëve apo shoqërisë civile nga ana e liderëve autoktratë dhe regjimeve ushtarake, janë shenja të pastra të zbehjes së pushtetit.

Kështu thotë organizata Human Rights Watch, në vlerësimin e saj vjetor mbi të drejtat e njeriut në botë.

Në raportin e vitit 2022, organizata cilëson se liderët autokratë, u përballën me pakënaqësi të madhe popullore gjatë vitit 2021. Me milionë njerëz, të cilët rrezikuan jetën duke u dergjur rrugëve, sipas raportit, kërkesa për demokraci në botë po rritet.

Një shenjë e mirë dhe mesazh i fortë kundër regjimeve, ka ardhur nga bashkimi i opozitarëve në një. Qëllimi i tyre i vetëm ka qenë zhbërja e pushtetarëve autokratë.

Kështu, ata kanë lënë mënjanë ndasitë politike dhe janë përkushtuar në bashkëveprim për të përmirësuar klimën politike të vendeve të ndryshme.

Dy shembuj konkretë, janë ato të Republikës Çeke apo Izraelit.

Ndërsa, si rrezik i mëtejshëm, shihen edhe autokratët si Viktor Orban në Hungari apo Recep Tayyip Erdogan në Turqi.

Në vitin 2021, bota pa edhe situata tërësisht të paimagjinueshme, si për shembull grushti i shtetit në Myanmar, i cili e shkriu tërësisht Qeverinë legjitime të Aung San Suu Kyi, apo revoltën talebane në Afganistan, duke ndryshuar kahet e pushtetit.

Një kritikë ka shkuar edhe për SHBA-të, për çështjen e furnizimit me armatime të Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Zë me rëndësi është edhe përpjekja evropiane për bashkëpunim me Kinën. Një kërkesë, e cila nuk merr parasysh persekutimin e ujgurëve në Kinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore