Sport

Atalanta shkruan historinë – tani është koha që Gasperini të largohet


Gian Piero Gasperini

Në Palosco, një qytet i vogël në periferi të Bergamos, një njoftim lindjeje u ndez në një nga tabelat. Ishte një ditë pas fitores 3-0 të Atalanta-s kundër Marseille-s në gjysmëfinalen e Europa League. “Bashkia e qytetit mirëpret Lookman-in e vogël”, u njoftua. Në një spital aty pranë, një fëmijë i porsalindur ishte në krahët e një çifti tifozësh të Atalanta-s. Euforikë për t’u bërë prindër, pikërisht kur ekipi i tyre arriti në finalen e parë evropiane, foshnja mori emrin e një prej golashënuesve.

Lookman-i i madh kishte shkaktuar ‘furtunë’ ndaj Marseille-s. Ai nuk e dinte se driblimi i tij deri në skajin e zonës dhe goditja në këndin e largët kishin shtyrë një mbështetëse të lindte.

Çfarë kohe. Për 14 vjet, kryetari dhe ish-lojtari i Atalanta-s me flokë borë të bardha, Antonio Percassi, i ka dërguar çdo të porsalinduri në zonë një veshje të vogël të uniformës së Atalanta-s.

Mbështetja e këtij klubi është një e drejtë e lindur, por gjeografikisht ka disa “probleme”. Bergamo shtrihet në hijen e Milanos, ku gjigantët e futbollit Milan dhe Inter, fitues të Champions League në 10 raste, tradicionalisht janë dukur kaq të mëdhenj. Tundimi për fansat që rriten aty pranë ka qenë të mbështesin njërin prej tyre.

Vetëm në Bergamo, në fakt situata është ndryshe.

Atalanta ka pasur gjithmonë mbështetje nga Lookman-sat e vegjël. Nga djepi në stadiumin “Aviva”. Ky brez fansash nuk e ka pasur kurrë kaq me diell kohën. Të moshuarit e kujtojnë trofeun e fundit të klubit në vitin 1963, kur një hat-trick nga Angelo Domenghini e mposhti Torino-n në finalen e Kupës së Italisë. Për dekada më pas, suksesi u mat duke fituar promovimin dhe qëndrimin lart ndërsa Atalanta kërceu mes ligës së lartë dhe divizionit të dytë. Më e largëta që ata kishin qenë ndonjëherë në Evropë deri vonë ishte gjysmëfinalja e Kupës së Fituesve të Kupave si një skuadër e Serisë B në 1988.

Glenn Stromberg ishte një legjendë e atij ekipi. “Le të fillojnë vuajtjet”, postoi ai në X para finales së Europa League të mërkurën.

Por, trajneri i Atalanta-s, Gian Piero Gasperini dukej krejtësisht i rehatshëm. Xhins në Dublin, ai e drejtoi lojën me xhinse. Ndryshe nga nervat dhe tensioni mes tetë mijë tifozëve të Atalanta-s në stadium, skuadra e tij u shfaq edhe më e relaksuar dhe luajti si me pantofla. Ata triumfuan 3-0 kundër Bayer Leverkusen-it, ashtu si në “Anfield”, dhe natën kur Lookman i vogël erdhi në botë kundër Marseille-s.

“Sot kemi bërë një performancë të mrekullueshme dhe të paharrueshme”, tha Gasperini.

Nuk duhej të ishte befasi dhe megjithatë ishte. Atalanta kishte humbur finalen e Kupës së Italisë një javë më parë nga një skuadër me shumë lëkundje si ajo e Juventus-it. Për t’i bërë gjërat më keq ata humbën edhe Marten de Roon për shkak të dëmtimit. Holandezi ka qenë në klub gjatë tetë viteve të Gasperini-t dhe është një nga titullarët e padiskutueshëm të ekipi. Ai u përlot një ditë tjetër kur ultrasit lanë një pankartë jashtë fushës së stërvitjes. Në bojë spray blu dhe të zezë shkruhej: “Përkushtim, sakrificë dhe një fanellë e njomur në djersë. De Roon, ju tashmë keni ngritur një trofe”.

Përfundimi i serisë së pamposhtur prej 51 ndeshjesh të Bayer Leverkusen-it, një arritje e rëndësishme në vetvete, nuk ndryshoi asgjë për Gasperini-n. Qasja e tij ishte YOLO (ti jeton vetëm një herë). Gasperini shkoi për të. Pasi humbi çdo finale të karrierës së tij, ai nuk hoqi dorë nga parimet e tij. Ai filloi ndeshjen me Gianluca Scamacca, Charles de Ketelaere dhe Lookman.

Si një shfaqje kolektive, ndihej si një version i thjeshtë i fitores 4-0 të Milan-it kundër Barcelona-s në 1994. Në nivel individual, Lookman jo vetëm që u bë Domenghini i kësaj gjenerate, por ai imitoi Alfredo di Stefano, Ferenc Puskas, Pierino Prati dhe Jupp Heynckes duke shënuar një hat-trick në një finale evropiane.

Reprezentuesi 26-vjeçar i Nigerisë ishte afruar kaq shumë këtë sezon. Ai shkoi deri në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës në fund të vitit, pastaj në finalen e Kupës së Italisë vetëm për të përjetuar humbje në të dyja. Por njësoj si Atalanta si klub, atij i duhej një trofe.

“Ata gjithmonë thonë për herë të tretë me fat. Kjo është ajo që ata thonë”, tha Lookman. “Nuk kam fjalë”.

Ndërsa Atalanta shkëlqente në fushë, Percassi dhe djali i tij Luca, shefi ekzekutiv, shikonin nga tribuna kryesore dhe më pas zbritën për t’ju bashkuar festës me ekipin përpara tifozëve që kishin shkuar në Dublin.

Ata e kanë bërë këtë klub në një version të qëndrueshëm, më pak të mbushur me yje të asaj që përfaqësonte Parma në vitet 1990 dhe është me vend që ata u bënë skuadra e parë italiane që nga ajo skuadër e famshme që e ngriti këtë trofe 25 vjet më parë.

Ata kanë një meritë të madhe. Ata qëndruan pranë Gasperini-t kur ai humbi pesë ndeshjet e tij të para në krye dhe u shpërblyen me katër finale kupash dhe katër kualifikime në Champions League. Suksesi i akademisë së tyre dhe modelit të tregtimit të lojtarëve i ka lejuar klubit të ndërtojë dhe të shkojë përsëri në fushë dhe jashtë saj, duke tërhequr një pronar të ri të shumicës si Steve Pagliuca i Boston Celtics, me ketë të fundit që mund të fitojnë ende trofeun Larry O’Brien. Stadiumi “Gewiss” është rinovuar tërësisht dhe punimet janë pothuajse të përfunduara.

Është, në shumë aspekte, shtëpia që ndërtoi Gasp. Atij tashmë i janë dhënë çelësat e Bergamos. Çfarë tjetër i ka mbetur për të arritur këtu?

“Nëse dikush do të gjente një moment për të dalë, është ky, si fitues”, tha ai për “RAI”.

Napoli e dëshiron atë tani siç kanë bërë në të kaluarën. Gasperini dhe Aurelio de Laurentiis shkuan për darkë në vitin 2011, ku një pecetë u nënshkrua si një memorandum mirëkuptimi.

“A keni një kopje?”, Gasperini e pyeti pronarin e Napoli-t. Ai nuk e bëri dhe Gasperini iu bashkua Inter-it, një përvojë jetëshkurtër që e shënoi thellësisht. Atalanta, me bluzat e saj blu e zi, që mbante sponsorin e Inter-it për finalen e Europa League, ka qenë hakmarrja e tij.

“Të fitosh pa borxhe”, tha ai, në të njëjtën ditë që pronarët e Inter-it dështuan në një hua prej 395 milionë eurosh dhe humbën klubin, “është një mënyrë e shkëlqyer për të triumfuar”.

Ndërsa Atalanta u kthye në Bergamo në orët e para të mëngjesit, ata patën një fëmijë të ri me vete. Me peshë 7.5 kg, nuk ishte një tjetër Lookman i vogël. Ishte trofeu i Europa League. Bambina e tyre bergamaske.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore