Kosova

“Ata që i kanë fituar votat me dhunë, me dhunë po mundohen t’i ruajnë”


Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykemte Bajrami, ka reaguar pas rrahjes që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kabinetit qeveritar.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, Bajrami ka thënë se “ata që i kanë fituar votat me dhunë, me dhunë po mundohen t’i ruajnë”, duke iu referuar veprimeve të dhunshme që Lëvizja Vetëvendosje i kishte bërë në Kuvendin e Kosovës gjatë kohës sa ishte në opozitë.

“Pavarësisht asaj çka ndodhi sot në Kuvend mos harroni se Qeveria e cila koordinohet me njerëz që janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nga mbrëmë po i tërheqë policinë prej ndërtesave komunale në Veri”, shkroi Bajrami në “Facebook”.

“Prej krizë në krizë deri….ku?”, pyeti deputetja e LDK-së.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka treguar se si ndodhi përplasja në Kuvend.

Ajo theksoi se deputetët nuk i kanë sulmuar ministrat, por se ka ndodhur e kundërta.

“Deputeti e ka gjuajtur me ujë Albin Kurtin. Nuk është sulmuar nga deputetët e opozitës Kurti, por deputetët janë sulmuar nga ministrat dhe zëvendëskryeministri”, ka thënë ajo.

Si filloi përplasja në kuvend?

Pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hunda të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Më pas deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.

Ky ishte edhe fillimi i përplasjes në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Krejt kjo ndodhi derisa Kurti po mbante fjalimin e tij duke treguar se qeveria ka pasur suksese në Veri.

“I kemi fituar zgjedhjet me 438 mijë vota me datën 14 shkurt 2021. Pesë ditë ish-Qeveria para se të bëhemi ne Qeveri është hekur fletëarresti ndaj këtij kriminelit Radojiçiç. Në Qeveritë e mëhershme ky kriminel ka qenë në Mitrovicë dhe në Prishtinë tash kontributi ynë është që është në hotelin Kopaunik në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”.

Si filloi përplasja – Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit, Besnik Bislimi goditi me shishe Lushatakun

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore