Kosova

“Ata që e akuzojnë Rusinë, përkrahën Kosovën dhe copëtuan Serbinë”: Melenchon – aleati ideologjik i Kurtit – kundër SHBA-së


Jean-Luc Melenchon

Jean-Luc Melenchon, lideri i lëvizjes ekstreme “Franca e Panënshtruar” që bën pjesë në aleancën majtiste Fronti i Ri Kombëtar (NFP), fitues të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare franceze, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shprehu përkrahje javën e kaluar, del të jetë një kundërshar i ashpër i Kosovës.

Në një artikull të botuar në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai etiketoi hapin unilateral të shpalljes së pavarësisë së Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke e denoncuar edhe NATO-n e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për ndërhyrjen humanitare, në vitin 1999.

“Natyrisht, sovraniteti i Kosovës në thelb është imagjinar. Pas 19-vjetësh, trupat e NATO-s janë ende masivisht të pranishme në Kosovë, eksistenca e së cilës varet nga prania ushtarake. Kosova nuk ekziston. Kjo enklavë është e paqeverisshme dhe e paqëndrueshme”, shkroi ai në shkurt të vitit 2018.

Por, qëndrimet armiqësore kundër Kosovës të Melenchonit hasen shumë më herët. Në prill të 2015-ës, ai mbështeti presidentin rus, Vladimir Putin, duke krahasuar aneksimin e rajoneve në Ukrainë me procesin e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008: “Sanksionet anti-ruse janë të paligjshme”.

“A nuk duket e çuditshme që të parët që akuzojnë Rusinë janë ata që shkelën ligjin ndërkombëtar? Ata që përkrahën separatistët e Kosovës, që bombarduan Serbinë dhe ia amputuan më shumë se 20 për qind të territorit, dhe këtë, pa asnjë referendum. Ata që shpikën një pretekst të rremë për të pushtuar dhe për ta shtyrë Irakun në kënetën e luftës civile”, shkroi ai.

Pothuajse ngjashëm argumentoi Putini menjëherë pas aneksimit të gadishullit ukrainas: “Autoritetet e Krimesë iu referuan precedentit të njohur të Kosovës – precedent që kolegët tanë perëndimorë e krijuan me duart e tyre në një situatë shumë të ngjashme, kur ranë dakord për ndarjen e njëanshme të Kosovës nga Serbia”, potencoi presidenti rus më 18 mars 2014.

Përkundër se Melenchon moderoi disa nga pozicionet e mëparshme pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, ai justifikoi dhe lavdëroi aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Putini: “Krimea është e humbur për NATO-n. Ky është një lajm i mirë”, deklaroi Melenchon dy ditë pas.

LVV-ja, partia që udhëheq pushtetin ekzekutiv në Kosovë, para zgjedhjeve franceze, bëri thirrje që diaspora të votojë kundër të djathtës ekstreme, duke shprehur drojën për pasojat që mund të vijnë nga një fitore potenciale e forcave populiste, nacionaliste e euroskeptike. Megjithatë, majtisti francez që u mbështet nga LVV-ja del të jetë një figurë thellësisht kontraverse.

“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘Nouveau Front Populaire’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës”, konsideroi ky subjekt politik.

Ndryshe, blloku i të gjelbërve, socialdemokratëve, komunistëve dhe partisë majtiste të Melenchonit, doli fuqia dominuese në Asamblenë Kombëtare të Francës pas zgjedhjeve të së dielës, në bazë të sondazheve preliminare, por asnjë grup nuk fitoi vetëm shumicën dhe ekziston mundësia që ky front të formojë një qeveri të pakicës apo të synojë ndërtimin e një koalicioni të gjerë.

Melenchon – majtisti që u mbështet nga Kurti – kundër pavarësisë së Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore