Lajme

AstraZeneca zotohet të mbjellë dhe mirëmbajë 200 milionë pemë deri në vitin 2030


Shefi i prodhuesit më të madh të barnave në Mbretëri të Bashkuar, Pascal Soriot, ka paralajmëruar se krizat binjake të ndryshimit të klimës dhe humbjes së biodiversitetit po dëmtojnë planetin dhe shëndetin e njeriut.

Këtë paralajmërim ai e ka dhënë pasi ka njoftuar një plan prej 400 milionë dollarësh për të mbjellë 200 milionë pemë deri në vitin 2030.

Skema e kompensimit është një nga programet më të mëdha të mbjelljes së pemëve në nivel global.

Në vitin 2020, AstraZeneca u zotua të mbjellë dhe mirëmbajë më shumë se 50 milion pemë deri në fund të 2025, me 10.5 milion pemë të 300 llojeve të ndryshme të mbjella deri më tani në të gjithë Australinë, Indonezinë, Ganën, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-të dhe Francën.

Kompania sakaq po e zgjeron atë program me një investim prej 400 milionë dollarësh në ripyllëzimin dhe një angazhim për të mbjellë më shumë se 200 milionë pemë deri në vitin 2030 dhe për të siguruar mbijetesën e tyre afatgjatë.

Pemët do të mbillen në Brazil, Vietnam, Gana, Ruandë dhe Indi.

Vendet me pyje tropikale si Brazili dhe Indonezia thithin më shumë dioksid karboni dhe janë kritike në betejën kundër ngrohjes globale.

Shpyllëzimi u përkeqësua vitin e kaluar kur një zonë me madhësinë e Zvicrës u pastrua nga pyjet më të pacenuara të shiut, pavarësisht një premtimi politik të bërë nga liderët botërorë në samitin CopP26 në vitin 2021 për të ndaluar shkatërrimin e tyre.

Tropikët humbën 10 për qind më shumë pyje se në vitin 2021, sipas shifrave nga Instituti i Burimeve Botërore dhe Universiteti i Maryland.

Humbja e pyjeve prodhoi 2.7 gigaton emetime të dioksidit të karbonit, ekuivalente me emetimet vjetore të karburanteve fosile të Indisë.

AstraZeneca ka theksuar se programi i mbjelljes së pemëve do të heqë rreth 30 milionë ton dioksid karboni nga atmosfera.

Programi pritet të kompensojë disa nga emetimet e karbonit të kontraktorëve që përdor në zinxhirin e tij të furnizimit, pasi prodhuesi i barnave synon të bëhet zero neto deri në vitin 2045.

Sipas Soriot, kreditë e karbonit ndahen me qeveritë e vendeve ku mbillen pemët për të shmangur numërimin e dyfishtë.

Skemat e kompensimit të karbonit janë gjithnjë e më shumë nën shqyrtim pasi shumë projekte duket se nuk kanë ndikim pozitiv në klimën, me shkencëtarët që bëjnë thirrje që sistemi i parregulluar të reformohet urgjentisht.

Rregullatorët po i ndalojnë gjithnjë e më shumë firmat që të bëjnë pretendime mjedisore të bazuara në kompensim, nëse nuk mund të tregojnë se funksionojnë.

“Krizat binjake të ndryshimit të klimës dhe humbjes së biodiversitetit po dëmtojnë planetin dhe po dëmtojnë shëndetin e njeriut”, ka shtuar Soriot.

Ai ka thënë po ashtu se projektet e AstraZeneca do të krijonin vende pune për njerëzit vendas dhe do të mbështesin deri në 80 mijë mjete jetese.

Ajo është në partneritet me OJQ-të dhe projektet do të auditohen dhe vlerësohen nga ekspertë të pavarur, duke përfshirë Institutin Evropian të Pyjeve.

Prodhuesi i barnave planifikon të përdorë drone për të vlerësuar rritjen dhe shëndetin e pemëve, dhe imazhe satelitore me cilësi të lartë për të monitoruar gjendjen e pemëve dhe ndikimin e projekteve në ujë, tokë dhe rezerva karboni.

Teksa projektet e mbjelljes së pemëve mund të jenë të suksesshme në largimin e karbonit nga atmosfera, shumë skema nuk monitorojnë nëse pemët mbijetojnë apo jo.

Në vitin 2021, një rishikim global i nismave për mbjelljen e pemëve në tropikët dhe subtropikët që nga viti 1961 zbuloi se ndërsa dhjetëra organizata raportuan se kishin mbjellë gjithsej 1.4 miliardë pemë, vetëm 18 për qind përmendën monitorimin dhe vetëm 5 për qind matën normat e mbijetesës.

Shumë ekspertë argumentojnë se rigjenerimi natyror është pothuajse gjithmonë më i mirë, ku pemët rriten nga farat që bien dhe mbijnë në vend, megjithëse është më i ngadalshëm.

“Ndërsa disa nga projektet tona do të përdorin rigjenerimin natyror në vende, zonat në të cilat po punojmë janë shpesh aq të degraduara saqë do të duheshin dekada që pemët të rikolonizohen natyrshëm, nëse ndonjëherë arrijnë ta bëjnë këtë”, ka thënë Soriot.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore