
Implementimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë një ndër hapat e para që Kosova duhet të bëjë.
Kështu të pakën ka deklaruar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë duke theksuar se SHBA-të presin si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
“Me sa kam kuptuar, Qeveria e Kosovës i ka pasur disa shqetësime specifike për kohën e nisjes së një procesi të besueshëm për negocimin e statutit të Asociacionit. Dhe, ka qenë kërkesë e SHBA-së dhe pritje e SHBA-së nga Qeveria e Kosovës që ajo punë të fillojë dhe të fillojë shumë shpejt. Është një element urgjent i zbatimit të [Marrëveshjes] së Ohrit.
“Ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre me Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e zbatimit. Por, nuk është sekret që kemi kohë që e themi se një nga këto angazhime është çuarja përpara e Asociacionit. Kjo, sidomos, duhet të ecë përpara me njëfarë urgjence të vërtetë. Kjo është shpresa jonë”.
Në pyetjen se si e shohin SHBA-të radhitjen e hapave të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, Hovenier tha se gjëja kryesore dhe më e vështira që Administrata Amerikane ka kërkuar nga Kosova është hartimi i statutit të Asociacionit.
“Nevoja për të ecur urgjentisht përpara me një proces të besueshëm për hartimin e statutit të Asociacionit, është një pjesë e kësaj. Dhe, kjo është gjëja kryesore që ne ia kemi kërkuar Kosovës, gjëja më e vështirë por gjëja kryesore që ia kemi kërkuar Kosovës në lidhje me zbatimin e [Marrëveshjes] së Ohrit. Por, në të njëjtën kohë, paralelisht, do të punohej në këto gjërat politike, në zbatimin e angazhimeve për normalizimin e marrëdhënieve”.
Sipas tij propozimi i shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, që pikat e marrëveshjes të zbatohet në mënyrë paralele është e arsyeshme.
“Duhet të jepni pak dhe të merrni pak. Dhe, ne do të mund të shpenzonim shumë kohë në atë se kush bën çfarë, kur saktësisht dhe me çfarë rendi… Por, le të jemi të sinqertë, në fund të fundit, të dyja gjërat duhet të ndodhin. Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin”.
Duke komentuar takimin e 14 shtatorit në mes të Albin Kurtit e Aleskandër Vuçiç-it, diplomati amerikan deklaroi se është “për të ardhur keq” fakti se Kosova nuk e ka pranuar planin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes ndërsa Serbia po.
“Shpresa jonë është që edhe Qeveria e Kosovës do të gjejë, gjithashtu, një mënyrë për të punuar me lehtësuesit e BE-së [të dialogut], për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara”, potencoi ai.

Duke ri-theksuar se SHBA-të e kuptojnë plotësisht shqetësimet e Qeverisë së Kosovës se Asociacioni mund të përfundojë si diçka që ka efekt negativë, ose shkatërron funksionet efektive të shtetit, diplomati amerikan ka thënë se SHBA-të besojnë se Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne besojmë se ai duhet të jetë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Besojmë se duhet të jetë krejtësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Ne nuk besojmë se duhet të ketë kompetenca apo fuqi ekzekutive. Ne mendojmë se duhet të ketë përputhje me zotimet e bëra nga BE-ja – letra e Mogherinit”.
“Ne shpresojmë se do të ketë një lloj niveli të besimit, ne po e mbështesim këtë proces dhe kur e themi këtë, e themi përnjëmend. Dhe, kjo është e vërtetë”.
I pyetur se cilat janë garancitë se Asociacioni në një pikë nuk do të përfundojë sikurse një Republika Srpska, Hovenier beson se për këtë çështje duhet të ketë një lloj besimi në SHBA-në.
Sipas tij Serbia duket se ka vizion tjetër për çështjen e Asociacionit, megjithatë një gjë e tillë “nuk do të thotë se Kosova nuk mund ta çojë përpara një asociacion që i adreson shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë”.
“Serbia mund të kërkojë më shumë, por, në fund të fundit, kjo është ajo që Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare janë të përgatitura ta shohin si të pranueshme”, thotë Hovenier.
Ai shfaq shpresën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian drejt këtij “qëllimi strategjik”.
Nëse nuk e bën këtë, thotë Hovenier, do të ketë pasoja.
E këto pasoja, sipas tij nuk janë masa specifike, por mundësi të humbura.
“Kështu që, unë nuk e di se si Shtetet e Bashkuara do të mund ta ndryshonin mbështetjen e tyre për Kosovën në lidhje me përkushtimin tonë ndaj popullit të Kosovës dhe idesë së Kosovës si një shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe multietnik. Dhe, sigurisht, ne shpenzojmë kaq shumë kohë dhe përpjekje për ta avancuar këtë vizion që Kosova të jetë ajo që është – një shtet me madhësi të vogël ose të mesme i Ballkanit Perëndimor që është plotësisht i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com