Lajme

ASK-ja pret që regjistrimi i popullsisë të përfundojë para 17 majit


Foto nga arkivi.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka pritshmëri që regjistrimi i popullsisë do të përfundojë më herët sesa datat që kanë caktuar – 17 maj.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, në një deklaratë për mediat ka thënë se gjithçka është duke shkuar sipas planit që kanë bërë.

“Është duke shkuar sipas planit, nuk kemi sfida madhore. Të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë. Procesi regjistrimit nëse vazhdon me dinamikën e tillë, pritet të mbarojë para datës së caktuar”, ka thënë ai.

Duke shtuar se, “s’janë paraqitur sfida në regjistrim edhe kualiteti i të dhënave është në nivel të lartë”.

Pas paralajmërimit të Listës Serbe se komuniteti në komunat veriore s’do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, Kastrati, u kishte bërë thirrje atyre që të marrin pjesë në këtë proces sepse në të kundërtën do të përballen me shumë sfida në të ardhmen.

Kastrati, kërkesën e ka bërë në një konferencë për media të hënën e javës së kaluar duke përmendur pasojat.

“Nëse nuk je i regjistruar pritjet janë që në të ardhmen shumë shërbime të mos i kenë, sepse nëse nuk merr pjesë në regjistrim duket sikurse nuk ekziston”.

“Kështu që i bëj thirrje posaçërisht komunitetit serb, ata duhet ta kuptojnë se regjistrimi i popullsisë nuk kthehet prapa. Mospjesëmarrja në regjistrimin e popullsisë nënkupton që s’mund të marrësh pjesë në shumë shërbime”, ka thënë Kastrati.

Procesi zyrtarisht për regjistrimin e popullsisë nisi më 5 prill, në komunat veriore të Kosovës, të banuara me popullsi me shumicë serbe, është thënë se do të bojkotohet e në disa komuna të tjera është kërkuar të shtyhet.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore