Lajme

ASK gati për regjistrimin e popullsisë, përfshihet edhe diaspora


Avni Kastrati

Agjencia e Statistikave të Kosovës, të premten, ka njoftuar se është e gatshme të fillojë procesin e regjistrimit të popullsisë që nis nga data 5 prill deri më 17 maj të këtij viti.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit Ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, ka potencuar se në këtë regjistrim do të përfshihet edhe diaspora.

Kastrati, ndër të tjera, tregoi se projekti për regjistrimin e popullsisë është i bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe në dy rregullore.

Tri objekte që do të regjistrohen, sipas Kastratit, do të jenë popullsia, ekonomitë familjare dhe të gjitha banesat, shtëpitë dhe objektet fizike që duken mbi tokë.

“Të dhënat preliminare do të publikohen vetëm tre muaj pas kryerjes së regjistrimit. Ndërsa të dhënat finale do të publikohen nëntë muaj pas regjistrimit të popullsisë”, tha ai.

Qeveria e Kosovës më 30 shtator të vitit 2022 morri vendim që procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë të nis më 1 shator e të përfundojë më 16 tetor të këtij viti.

11 muaj më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 156-të Qeverisë së Kosovës njoftoi se vendimi i cili mban nënshkrimin e tij nuk do të mund të zbatohet në datën e caktuar.

Shtyrjen për dy muaj të Regjistrimit të Popullsisë – nga 1 shtatori në 1 nëntor – Kurti e arsyetoi duke thënë se një sërë vonesash në përgatitje e kanë bërë të pamundur nisjen e këtij procesi.

Për një vonim të tillë shefi i Qeverisë së Kosovës fajësoi Asociacionin e Komunave të Kosovës, Asociacioni i cili sipas Kurtit tregoi një “rezistencës” brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit.

“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor. Pra, [procesi do të fillojë] dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet”, tha Kurti.

Kurti tha gjithashtu se në vonimin e procedurave ndikoi edhe vendimi i Qeverisë për ta trajtuar bashkëpunimin me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) si marrëveshje ndërkombëtare e jo “memorandum bashkëpunimi me një organizatë ndërkombëtare”.

Por, ndryshe nga arsyetimet e Kurtit duket se dështimi i fillimit të censusit në datën e caktuar shumë muaj më parë e ka zanafillën diku tjetër – neglizhenca e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, kanë hartuar një Plan Veprimi jo adekuat dhe të parealizueshëm ne raport me rrethanat për Regjistrimin e Popullsisë, paçka në koordinim edhe me Kuvendin kanë miratuar një Ligj jashtë standardeve evropiane dhe ndërkombëtare për Regjistrimin e Popullsisë.

Në dështimin e fillimit të Regjistrimit të Popullsisë sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 30 shtator ka ndikuar gjithashtu edhe mos-kokëçarja e Qeverisë së Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave për të përgatitur në mënyrë të duhur e me kohë procesin, me gjithë mungesat ligjore.

Kësisoj Qeveria dhe Agjencia e Statistikave nuk kanë arritur me kohë që të ndërtojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore, infrastrukturore dhe administrative për realizimin e Projektit të Regjistrimit të Popullsisë duke shkaktuar dëme zinxhirore saqë kurdo që Qeveria mendon të fillojë me censusin e popullsisë, ky projekt fatalisht do të jetë i predispozuar që të dështojë.

Regjistrimi i Popullsisë ka dështuar për sivjet, përgjegjësinë s’po e merr askush

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore