Marco Asensio do të humbasë finalen Superkupës së Spanjës kundër Athletic Bilbao-s, pasi vuan nga probleme muskulore që e penguan atë të marrë pjesë në seancën e fundit stërvitore të Los Blancos.
Në vend të Asensio-s pritet që të startojë Rodrygo, pasi ishte braziliani që po ashtu e zëvendësoi në ndeshjen gjysmëfinale kundër Barcelonës.
David Alaba mori pjesë në seancën stërvitore dhe dëshiron të luajë në finalen e Superkupës kundër Athletic Bilbao-s, por Carlo Ancelotti nuk dëshiron ta rrezikojë mbrojtësin austriak.
“Ne kemi dy dyshime: Alaba dhe Asensio, dhe do të shohim se si do të jenë ata në stërvitje. Unë nuk do të rrezikoj askënd,” tha Ancelotti gjatë konferencës së tij për shtyp.
“Nëse Alaba dhe Asensio luajnë, kjo ndodh sepse ata ndihen mirë”.
Tani e dimë se Asensio nuk do të jetë në gjendje të luajë në finalen e së dielës, por është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me Alaba-n.
Ancelotti do të donte të kishte Alaba në 11-shen startuese të Los Blancos.
Megjithatë, nëse Alaba nuk është i gatshëm për të luajtur, dyshja e qendërmbrojtësve do të jetë e njejtë si kundër Barcelonës, Eder Militao dhe Nacho Fernandez.