Lajme

Artisti nigerian që realizoi skulpturën e bronztë të Mbretëreshës Elizabeth II


Ishte viti 1956.

Pati shumë bujë për vizitën e parë të Mbretëreshës Elizabeth II në Nigeri.

Kishte vetëm pak vite në mbretërim dhe po bënte një vizitë të shumëpritur në vendin e Afrikës Perëndimore, i cili ende nuk ishte bërë republikë.

Përpara mbërritjes së saj, artisti i famshëm nigerian Ben Enwonwu mori një komision mbretëror për të përkujtuar vizitën e saj me një statujë.

Kjo e bëri atë artistin e parë afrikan që krijoi një portret zyrtar të një anëtari të familjes mbretërore.

Nisi të punonte skulpturën vitin pasues, duke vizituar Pallatin Buckingham në Londër për disa seanca.

“Në vitin 1957, Mbretëresha Elizabeth II u ul për Enwonwu për një skulpturë të madhe bronzi”, ka vënë në dukje Royal Collection Trust, i cili mbikëqyr koleksionin e artit të familjes mbretërore britanike.

Në përgjithësi, Mbretëresha u ul për Enwonwu 12 herë, tetë prej të cilave ishin në Pallatin Buckingham.

Pjesa tjetër e seancave u zhvilluan në një studio private që i përkiste William Reid-Dick, kolegut të Enwonwu në Shoqërinë Mbretërore të Artistëve Britanikë.

Enwonwu gjatë kësaj kohe përfundoi një bust portret dhe një model skicë të skulpturës. Ai e përfundoi skulpturën në vitin 1957..

“Disa nga vlerësimet e lavdishme që mori skulptura ishin se artisti përshkruante mbretëreshën me sytë e tij afrikanë, vepra kishte tipare afrikane, gjë që ishte karakteristikë e punës së tij”, ka treguar djali i tij, Oliver Enwonwu.

Po ashtu artist i njohur, Oliver e ka përshkruar skulpturën e mbretëreshës si një nga veprat më të mëdha të babait të tij. “Babai im ishte shumë krenar për këtë. Ishte një nga kryeveprat e tij që tregoi shkathtësinë e tij si artist”.

“Në atë kohë ishte një punë e madhe sepse ai ishte një artist afrikan. Por ai ishte më i famshmi në Commonwealth në atë kohë”, ka shtuar Oliver.

Më vonë, teksa skulptura përfundoi në Nigeri, Mbretëresha Elizabeth II fitoi bustin dhe kishte një tjetër skulpturë nga Enwonwu, si dhe një numër pikturash të tij.

Busti i bronztë i Mbretëreshës u vendos më vonë në ndërtesën e parlamentit nigerian përpara përgatitjeve për pavarësinë e vendit nga Britania në vitin 1960.

Tani ajo qëndron në muzeun kombëtar nigerian.

Enwonwu është njohur si një nga modernistët më të mëdhenj të Afrikës.

I lindur në vitin 1917, ai është përshkruar si artisti afrikan më me ndikim i shekullit të XX-të.

Ai ishte bërë një artist i shquar edhe përpara komisionit të tij mbretëror dhe në vitin 1954 iu dha një çmim Anëtar i Urdhrit të Perandorisë Britanike (MBE) nga Mbretëresha për shërbimet e tij ndaj artit.

Enwonwu fitoi një bursë në vitin 1944 nga Shell West Africa dhe British Council për të studiuar artin e bukur në Mbretërinë e Bashkuar pas një ekspozite të suksesshme vetjake.

Ai ndoqi Universitetin e Oxford-it dhe më vonë u kthye në Nigeri për t’u bërë pedagog.

Ai u emërua profesori i parë i artit i Nigerisë nga Universiteti i Ife, i njohur tani si Universiteti Obafemi Awolowo, në vitin 1971 dhe mori një Çmimin Kombëtar të Meritës nga qeveria nigeriane nëntë vjet më vonë.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore