Kosova

“Artani apo Fatoni” – Daçiç: Po punojmë për ta identifikuar se kush e vrau policin


Artan dhe Faton Hajrizi

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se janë duke punuar intensivisht për ta identifikuar nëse vrasësi i policit serb është Artan Hajrizi apo vëllai i tij Fatoni, i cili u arratis nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë më 6 korrik.

“Po përcaktojmë nëse vrasësi është personi të cilit i kemi gjetur dokumentet apo është vëllai i tij. Ka mundësi që të jetë një identitet i rremë”, tha Daçiç për Radiotelevizionin e Serbisë.

Ai ka pretenduar se vrasja e policit serb mund të jetë “sulm terrorist” i përgatitur nga strukturat e Kosovës”.

“Ky nuk mund të jetë aksident dhe me të do të merret prokuroria për krim të organizuar, sepse policët janë sulmuar në krye të detyrës”, shtoi ai.

Ndërkaq në Serbi për kapjen e të dyshuarit raportohet se janë angazhuar mbi 150 pjesëtarë të policisë.

Por, Artan Hajrizi e ka mohuar se e ka vrarë policin serb, meqë ka thënë se është në Gjermani, teksa ka treguar se i janë vjedhur dokumentet nga vëllai i tij Fatoni.

“Jam në policinë e Gjermanisë në Hanover, i kam lajmëruar që m’i kanë vjedhur dokumentet, dokumentet m’i ka marrë se kuletën e la në tavolinë në korridor me çelësa, sepse vëllai ka qëndruar te unë”, tha Hajrizi në një bisedë për Dukagjinin.

Çka ndodhi?

Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë rreth orës 00:55 të enjten në Loznicë të Serbisë.

Raportohet se vrasja ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë teksa kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një veturë të tipit Mercedes me targa të Tutinit të Serbisë në të cilën kanë qenë dy persona.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për vrasjen e një polici serb në Serbi, derisa i dyshuari është një kosovar.

“Nuk kam diçka shtesë, mirëpo organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që të përcillni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme”, tha Kurti gjatë një konference për media.

“Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, shtoi.

Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka njoftuar se është duke përcjellur zhvillimet dhe ka apeluar tek mërgimtarët t’i shmangin lëvizjet përmes Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore