Shqipëria

ARRSH: Devijohet për një javë qarkullimi Tiranë-Elbasan dhe anasjelltas


Autoriteti Rrugor Shqiptar të hënën e 11 prillit ka njoftuar devijimin që do të bëhet nga Tirana drejt Elbasanit dhe anasjelltas. Kjo do të zgjasë një javë – 15 deri më 22 prill – nga ora 22:00-06:00 të mëngjesit.

Ky vendim ka ardhur në vijim të punimeve për zbatimin e projektit “Ndërtim Rruga Mbikalimi TEG dhe rrugët Lidhëse të tij”.

Duke qenë se faza e punimeve ka ardhur te rrethrrotullimi, gjatë natës mjetet që do të vijnë nga Elbasani do të lejohen të kalojnë në rrugën pas “TEG-ut” ndërsa ata që vijnë nga Unaza Lindor do të lejohen të kthehen djathtas në drejtim të Tiranës.

Mjetet e vogla që do të vijnë nga Tirana do të kthehen në mbikalimin “Mjull Bathore”.

Sakaq në njoftim thuhej se mjetet e rënda e të gjata, si trajlera e maune, do të parkohen në segmentin “Mjull Bathore-TEG” (Unaza) dhe do të lejohen të kalojnë në rrethrrotullim gjatë një intervali kohe të caktuar, i cili do të caktohet nga punonjësit e orientimit të trafikut gjatë natës.

ARRSH thekson se ky devijim do të funksionojë vetëm gjatë natës ndërsa ditën do të hapet për qarkullim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore