Shqipëria

Arrihet dakordësia mes PS dhe PD për komisionet hetimore


Partia Socialiste dhe Partia Demokratike (grupimi i Rithemelimit), kanë arritur një dakordësim sa i takon ngritjes së dy komisioneve hetimore, përkatësisht ato për Shëndetësinë dhe ai për daljen e të dhënave të sistemit TIMS.

Ky ka qenë një rezultat i arritur gjatë zhvillimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, i cili është mbledhur për të parën herë i plotë pas pesë muajsh bojkot nga opozita.

Në nisje të konferencës, ishte kreu i Grupit Parlamentar socialist, Bledi Çuçi, i cili e cilësoi si një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës, drejt një kthimi për t’u rikthyer në normalitet në jetën parlamentare të vendit.

“Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar”, theksoi ai.

Ai po ashtu e vlerësoi rolin e opozitës në Parlament, duke përmendur edhe ligje që për të kaluar, kërkojnë shumicë të cilësuar.

Ndër to, edhe ai për Amnistinë Penale, i cili kërkon votat e opozitës për të kaluar në Parlament, apo edhe çështje të tjera, të cilat lidhen më së shumti me integrimin evropian dhe me përafrimin ligjor me Bashkimin Evropian.

“Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale”, përmbylli fjalën e tij Çuçi.

Bardhi nga pala e opozitës ndërkohë, pas mbledhjes, ka thënë se është një lajm i mirë ulja në tryezën e bisedimeve, pas një rezistence prej disa muajsh të opozitës në Parlament dhe po ashtu ka pranuar se mazhoranca, ka reflektuar.

Sipas tij, çdo ligj që kërkon 3/5 pa përjashtuar ligjin për “Zgjedhoren”, të diskutohet në një nënkomision me partneritet të plotë të grupeve të PD dhe PS.

“Kemi rënë dakord në parim për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontratat koncesionare korruptive në sektorin e shëndetësisë dhe për ngritjen e Komisionit Hetimor për ndërhyrjen në të dhënat personale në sistemin TIMS. Opozita ka pasur gjithmonë gatishmërinë për normalitet në Parlament”, ka përmendur Bardhi.

Sipas tij, nënkomisioni do t’i duhet t’i japë Shqipërisë ligje, që janë në interes të shqiptarëve. Teksa, opozita, do të zbatojë vetëm Kushtetutën dhe asgjë tjetër.

Koncesioni i Sterilizimit në Shëndetësi, është edhe një proces, i cili është ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme SPAK në vitin e fundit dhe është ende në hetim.

Teksa, sa i takon atij për sistemin TIMS, ka qenë një çështje e diskutuar shumë, me rrjedhjen e të dhënave nga serverët e Policisë, që ka krijuar edhe shqetësim të madh në publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore