Kosova

Arrestohet punëtori i Postës së Kosovës, dyshohet për keqpërdorim të detyrës


Posta e Kosovës.

Të mërkurën, policia e Kosovës ka arrestuar punëtorin e Postës së Kosovës M.B nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos dorëzuar 2 mijë e 26 dërgesa të ndryshme për të cilat kishte obligim, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media nga Policia e Kosovës.

I dyshuari është arrestuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Prishtinë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Tutje në njoftimin e policisë, bëhet e ditur se është bërë kontrollimi i shtëpisë së të dyshuarit M.B ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi (dërgesat postare) të pa dorëzuara nga i dyshuari, i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre tek palët e adresuara.

Ai dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar” sipas nenit 414 të Kodit Penal.

2 mijë e 26 dërgesa të ndryshme, përfshinin shkresa të gjykatës, fatura të tatimit mbi pronën, fatura të Valës, dërgesa ndërkombëtare, shkresa të Trustit, fatura të bankave, dhe shkresa të Ministrisë së Bujqësisë.

Policia e Kosovës.

“Dëshmitë dhe provat e gjetura dhe sekuestruara janë si në vijim: 682 shkresa të gjykatës, 512 fatura të tatimit mbi pronë, 337 fatura të Valës, 57 dërgesa ndërkombëtare, 200 shkresa të Trustit, 197 fatura të bankave, 7 shkresa të Ministrisë së Bujqësisë, 18 dërgesa nga Komuna e Lipjanit, 1 dërgesë nga AKP, 14 dërgesa nga Përmbaruesit privat, 1 dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.

Pas njoftimit të Policisë, Posta e Kosovës ka sqaruar rastin për ish postierin e arrestuar.

Në njoftimin e Postës së Kosovës thuhet se pasi inspektorati ka zbuluar dhe konstatuar keqpërdorimet e ish postierit M.B, ndaj tij janë marr masat ligjore sipas ligjeve në fuqi me largim nga puna, ndërsa departamenti ligjor i ndërmarrjes e ka iniciuar rastin në Polici dhe në Prokurori.

“Pasi inspektorati zbulon dhe konstaton keqpërdorimet e ish postierit M.B, ndaj tij janë marr masat ligjore sipas ligjeve në fuqi me largim nga puna, ndërsa departamenti ligjor i ndërmarrjes e ka iniciuar rastin në Polici dhe në Prokurori”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Ndërkaq, sipas PK pas informimit të rastit ndaj të dyshuarit menjëherë janë marrë masa ligjore.

“Pasi inspektorati zbulon dhe konstaton keqpërdorimet e ish postierit M.B, ndaj tij janë marr masat ligjore sipas ligjeve në fuqi me largim nga puna, ndërsa departamenti ligjor i ndërmarrjes e ka iniciuar rastin në Polici dhe në Prokurori”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore