Kosova

Arrestohet personi që dyshohet për sulmin e policit në Veri


Foto nga arkivi.

Një person është arrestuar të enjten për sulmin e një polici në Veri të Kosovës, që kishte ndodhur të mërkurën.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.

“Po, është arrestuar një person. Në bashkëpunim me Prokurorinë do të ndërrmerrën veprimet e tjera hetimore”, ka thënë Elshani për AP.

Polici kishte raportuar se deri sa ishte në kryerje të detyrës, një person i panjohur me veturë ka tentuar ta godas dhe gjatë tentimit ka goditur veturën zyrtare të PK-së.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë vitit 2023, sfida më e madhe ka qenë ruajtja e integritetit territorial dhe e sigurisë publike.

Ai gjatë fjalimit të tij në Këshillin për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se Policia e Kosovës në pjesën veriore është sulmuar rreth 100 herë nga grupe ekstremiste.

“Gjatë këtyre viteve Policia e Kosovës është sulmuar rreth 100 herë nga këto grupe ekstremiste dhe lajmi i fundit është që një sulm e kemi pasur ditën e djeshme ku është rrezikuar jeta e një pjesëtari të policisë, megjithatë situata atje është përmirësuar ndjeshëm, për disa qarqe edhe pabesueshëm mirë”, ka deklaruar Sveçla.

Sa herë që Policia e Kosovës sulmohet në Veri, tregohet edhe një herë mungesa e një politike për sigurimin shëndetësor dhe jetësor të 9 mijë policëve të Kosovës.

Që nga viti 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin fondet.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore