Lajme

Arrestohet personi i katër për vrasjen e Liridona Ademajt, akuzohet për “shitje të paautorizuar të armëve”


Ilustrim

Këtë të shtune është arrestuar edhe i dyshuari i katërt për vrasjen e Liridona Ademjat – vrasjen e së cilës dyshohet se organizoi bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Lajmi është konfirmuar nga Zëdhënësja e Prokurorisë, e cila ka bërë me dije se i arrestuari akuzohet për shitje të paautorizuar të armëve.

“Konfirmojmë se me urdhër të prokurorit të rastit është ndaluar i dyshuari i katërt në rastin e vrasjes se rëndë, për shkak të veprës penale: ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, ka thënë zëdhënësja.

Po ashtu, është bërë e ditur se brenda afatit ligjor Prokurori do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarit.

Çfarë ndodhi?

Liridona Ademaj, është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin Granit Plava dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më pas u arrestua edhe Kushtrim Kokalla si pjesëmarrës në krim.

Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor, Prokuroria Themelore, ka dhënë detaje të veprimeve që pretendohet se i kanë kryer Nam Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor në Prishtinë, rasti ky i cili fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasojë vdekjen”.

Ndryshe, në dosjen e prokurorisë theksohet se ka pasur një “marrëveshje për një aksident të inskenuar”, ku i pandehuri, në këtë rast Naim Murseli, me dashje ka dashur të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, duke bërë një marrëveshje paraprake me dorasin Granit Plavën.

Foto nga vendi i ngjarjes ku u vra Liridona Ademaj.

Sipas Prokurorisë, Murseli, paraprakisht e ka pajisur me armë dorasin Plava duke inskenuar veprën e “Grabitjes”.

“Murseli derisa ishte duke lëvizur me veturë, në të cilën ishte bashkëshortja Liridona dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë i pandehuri Plava para veturës, me maskë në kokë dhe revole në dorë, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Murseli me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, derisa tani e ndjera Liridona ka mbetur në veturë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dosjen e Prokurorisë ndër të tjera theksohet se i pandehuri Granit Plava e ka qëlluar viktimën nga afërsia me një plumb në qafë.

“Ndërsa për këto veprime i pandehuri Naim Murseli, paraprakisht i ka premtuar të pandehurit Granit Plava, një shumë të të hollave prej 30 mijë euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë, gjithashtu, jep detaje edhe për përfshirjen e Kushtrim Kokallas në rastin e vrasjes, ku sipas Prokurorisë ky i fundit ka njoftuar Murselin me dorasin, në këtë rast Granit Plavën.

“Një javë para natës kritike, të pandehurit Murseli dhe Kokalla (me të cilin kanë raporte familjare- djalë i dajës dhe djalë i hallës) dhe i pandehuri Plava (shok i të pandehurit Kokalla), janë takuar në pompën e derivateve ‘Shell’, ku i pandehuri Plava i ka treguar se merret me gjithçka”.

Pas takimit të tyre në “Shell”, sipas Prokurorisë, thuhet se Murseli i kërkon Kokallës numrin e telefonit të të pandehurit Plava, kurse në ditën kritike Murseli takohet sërish me Kokallën në ora 9:30 në qytetin e Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore